Teksa po bëhen 24 orë nga ekzekutimi mafioz te mbikalimi i Fushë Krujës, ende nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen e trefishtë të Brilant Martinajt, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës. Sot është gjetur një tjetër makinë e djegur, këtë herë në fshatin Bubq, që dyshohet e autorëve.
Të tre të rinjtë po udhëtonin me një makinë “Volkswagen Passat” dhe në mbikalimin e Fushë Krujës atyre ju bë pritë nga një makinë tjetër që po udhëtonte përballë tyre.
Autorët hapën breshëri me kallashnikov duke gjuajtur mbi 60 plumba. Dyshohet të kenë qenë 4 autorë, 3 në rolin e ekzekutorit dhe një shofer i mjetit.
Hetuesit mendojnë se shënjestra ka qenë Brilant Martinaj. Diklen Vata arriti të dilte nga mjeti, por u qëllua në distancë të afërt sërish nga vrasësit duke e lënë të vdekur në vend.
Martinaj dhe Besmir Hoxha u dogjën brenda automjetit që shpërtheu në flakë pas të shtënave me kallashnikov.