Këtë të hënë prokurorja e Tiranës, Elsa Kareçi, mes lotësh dhe emocionesh u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi u shpall nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegu.
Procesi i vetingut për prokuroren Kareçi u fokusua kryesisht te pasuritë dhe transaksionet e biznesit të ish-bashkëjetuesit të saj, për të cilën KPK tha se kishte balancë negative në vlerën e 12 milionë lekëve.
Kareçi u mbrojt me argumentin se ajo nuk kishte lidhje me pasuritë e ish-bashkëjetuesit dhe se komunikimi i keq me të pas ndarjes e kishte penguar që të gjente informacion. Prokurorja shtoi gjithashtu se pas ndarjes, ajo kishte marrë vetëm makinën nga ish-bashkëjetuesi. Ajo tha se jetonte me qira dhe se kujdesej vetë për fëmijët.
Kareçit nuk iu gjetën probleme të figurës dhe në kriterin e profesionalizmit asaj iu kërkuan shpjegime vetëm sa i përket një hetimi.