Dështimi për të mbrojtur Shinzo Abe nga një goditje e dytë që vrau kryeministrin më jetëgjatë të Japonisë më 8 korrik ekspozoi një sërë boshllëqesh sigurie. Kjo tashmë është thënë qartë nga ekspertë japonezë dhe ndërkombëtarë.
Vrasja e Abe në qytetin perëndimor të Nara nga një burrë që përdori një armë të improvizuar tronditi një komb ku dhuna me armë është e rrallë, politikanët janë mësuar të flasin nga afër me publikun në fushatat e tyre dhe me relativisht pak mbrojtje rreth tyre.
Autoritetet japoneze – përfshirë kryeministrin Fumio Kishida – kanë pranuar boshllëqet e sigurisë, ndërsa policia thotë se incidenti është nën hetim.
Përveç ekspertëve të sigurisë, Reuters foli edhe me gjashtë dëshmitarë të incidentit, ndërsa shqyrtoi një seri videosh të disponueshme në internet, të xhiruara nga këndvështrime të ndryshme. Në fund, agjencia hartoi një përshkrim të detajuar të masave të sigurisë përpara se Abe të vritej.
Siç rezulton, siguria e tij e la të ekspozuar nga pas 67-vjeçarin Abe teksa fliste në një ishull rrugor në një vend të hapur dhe publik me trafik të rënduar. Pozicioni i Abe-s e lejoi vrasësin e tij, Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, të arrinte pak metra larg Abe dhe të lëvizte në mënyrë të pakontrolluar, tregojnë pamjet.
2.5 sekondat që vulosën fatin e Shinzo Abe
“Ata duhet të kishin identifikuar sulmuesin që po ecte qëllimisht pas kryeministrit dhe të ndërhynin” vuri në dukje Kenneth Bombas, kreu i Global Threat Solutions, një firmë që ofronte shërbime sigurie për Joe Biden kur ai po kandidonte për president.
Duke cituar burime në ekipin që po hetonte incidentin, gazeta Yomiuri tha se Yamagami u afrua rreth 7 metra nga Abe përpara se të gjuante të parën, e cila iku huq. Më pas ai gjuajti të dytën, që erdhi nga një distancë më e shkurtër këtë herë, 5 metra.
Sipas John Soltys, një ish oficer i Navy SEAL, oficer i CIA-s dhe nënkryetar aktual i firmës së sigurisë Proseguri, truprojat e Abe nuk duket se kanë formuar “unaza koncentrike sigurie” rreth ish-kryeministrit, ndërsa “nuk kishte asnjë lloj të mbikëqyrjes së turmës”.
E pyetur në lidhje me analizën e ekspertëve të mësipërm, Policia e Prefekturës Nara, e cila ishte përgjegjëse për sigurinë e Abe gjatë fushatës së tij, u përgjigj me një deklaratë për Reuters se: “departamenti ynë është i përkushtuar të identifikojë plotësisht problemet e sigurisë me mbrojtjen e Abe”, por duke refuzuar të komentojë më tej.
Videoja tregoi se, pas goditjes së parë, Abe kthehet dhe shikon mbi shpatullën e tij të majtë. Dy truproja përpiqen të futen mes tij dhe sulmuesit dhe njëri merr një çantë të hollë të zezë. Dy të tjerë drejtohen drejt atentatorit i cili afrohet më shumë përmes tymit.
“Megjithëse sigurimi i Abe u përball me sulmuesin vetëm disa sekonda pas sulmit, duke e arrestuar atë, për disa nga policia kjo ishte ‘përgjigja e gabuar’, domethënë, ndjekja e sulmuesit në vend që të lëvizte me shpejtësi drejt Abe dhe ta mbronte atë.” Deklarata e mësipërme i përket Mitsuru Fukuda, një profesor në Universitetin Nihon, i specializuar në menaxhimin e krizave dhe terrorizmit.
“Kishte siguri të mjaftueshme, por asnjë ndjenjë rreziku,” tha Yasuhiro Sasaki, një oficer policie në pension në prefekturën Saitama afër Tokios, i cili punonte në sigurinë VIP përpara se të dilte në pension. Ndërsa shtoi: “Të gjithë u frikësuan dhe askush nuk shkoi atje ku ishte Abe”. Policia e Tokios, në krye të ekipit të sigurisë dhe truprojave të politikanëve VIP, i drejtoi pyetje policisë Nara.
Nga ana tjetër, Shërbimi Kombëtar i Policisë, i cili mbikëqyr forcat e policisë lokale, tha se vrasja e Abe ishte rezultat i dështimit të policisë për të përmbushur përgjegjësitë e saj, duke shtuar se kishte ngritur një ekip për të rishikuar masat e sigurisë dhe mbrojtjen e politikanëve dhe personave VIP, duke marrë specifike masat për të parandaluar përsëritjen e një incidenti kaq të rëndë.
Në përgjigje të pyetjeve nga Reuters, Shërbimi Kombëtar i Policisë tha: “Ne e kuptojmë se kishte probleme, jo vetëm në përgjigjen në terren ndaj incidentit dhe të gjithë organizimin e operacionit të sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe në vendosjen e personelit rreth Abe, në procedurat themelore të sigurisë dhe mënyrën e përgjithshme në të cilën shërbimi ynë u përfshi në incident .’ Yamagami, i cili mbetet në paraburgim, nuk mund të kontaktohej për koment nga Reuters dhe as nuk mund të përcaktohet nëse ai përfaqësohej nga një avokat.
“Mund të ishte shmangur”
Sipas Koichi Ito, një ish-rreshter në grupin special të policisë Metropolitane të Tokios dhe tani një këshilltar sigurie, pamjet video tregojnë katër truproja brenda parmakëve ndërsa Abe mban fjalimin e tij. Numri i tyre është konfirmuar edhe nga politikani Masahiro Okuni, i cili ndodhej në vendngjarje.
Kur ish-kryeministri del në podium për të folur, në sfond shihet Yamagami duke duartrokitur. Siç tregon video, Yamagami më pas lëviz pas Abe, por siguria nuk merr masa.
Katsuhiko Ikeda, një ish-gjeneral i policisë së Tokios, i cili drejtoi sigurinë për samitet e G8 të Japonisë në 2000 dhe 2008, tha se situata do të kishte dalë shumë ndryshe nëse ekipi i sigurisë së Abe do të ishte mjaftueshëm afër për ta arritur brenda një ose dy sekondash.
Ito, ish-rreshteri i policisë, shtoi se siguria mund të kishte parandaluar edhe të shtënat e para nëse anëtarët e ekipit do të ishin vigjilentë dhe do të kishin komunikuar menjëherë me njëri-tjetrin.
“Por edhe nëse nuk mund ta bënin këtë, kishte një periudhë kohe, mbi dy sekonda, përpara goditjes së dytë, kështu që ata me siguri mund ta kishin parandaluar atë. Nëse Abe do të ishte mbrojtur siç duhet, atentati mund të ishte shmangur”.