Në fjalën e tij konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel, Edi Rama e vendosi theksin duke u krenuar me reformën në drejtësi. Ai tha se nuk ka ndërhyrë në asnjë proces dhe tani drejtësia është e pavarur për të vepruar për cdo njeri në cilëndo pozitë qoftë.
“Shqipëria është vendi më i avancuar në rajon për reformën në drejtësi. Ka shumë për të bërë, por themelet janë të vendosura. Këto vite kanë qenë shumë sfiduese dhe na kanë bërë më të vendosur për të luftuar krimin dhe korrupsionin kundër rrjeteve kriminale. Ne shkatërruam të gjithë pallatin e vjetër të drejtësisë.
Tani kemi institucione të reja. SPAK dhe BKH janë elementë thelbësore të kësaj epoke të re. Realiteti është ndryshe, askush nuk është imun përpara drejtësisë, as pozita dhe as tesera e partisë nuk mund t’ju mbrojë më. Barazia e vërtetë përballë drejtësisë tani është e mundshme dhe e arritshme përballë drejtësisë.
Unë nuk kam mbrojtur askënd nga drejtësia dhe nuk kam ndryshuar rrjedhën e gjyqësorit ndaj dikujt dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë. Por shumë hije të së shkuarës vazhdojnë, kjo është arsyeja përse jemi këtu për të shfrytëzuar sa më mirë negociatat” tha ai.









