Kryetarja e këshillit kombëtar të integrimit, Jorida Tabaku përshëndeti hapjen e negociatave dhe tha se do të bëjë maksimumin për cdo gjë që do të ketë në dorë, por nuk harroi pa “shigjetuar” Edi Ramën për vonesat sipas saj të procesit. Kryeministri tha se nuk e di kush është kush në opozitë, por Tabaku theksoi se përfshirja e të gjithëve është kryesore.
“Procesi i integrimit është një mekanizëm ku shqiptarët përfitojnë jo vetëm një emërtim të ri, por është vetëm fillimi i një procesi të gjatë. Shqipëria e meritonte që të fillonte këtë rrugëtim të ri. Në emër të opozitës ka shumë rëndësi sepse do të rritet mbikëqyrja. Nuk do të ketë më justifikime për mosfunksionimin e demokracisë, largimin e të rinjve. Sot e vlerësoj atë që ka ndodhur si hapi i një procesi të gjatë që do të tregojë gatishmërinë tonë. Kam disa të vërteta që duhet t’i ndaj. Detyra e parë e qeverisë është gatishmëria e strukturave, ne duhet të bëjmë gati strukturat dhe përfshirja e opozitës në këtë proces është me rëndësi. Opozita duhet të luajë rolin e saj sepse është proces kombëtar. Ne kemi për detyrë që të negociohen qëndrimet e Shqipërisë”, tha Tabaku.