Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, këtë të enjte ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Lisa Johnson dhe Ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.
E në këtë takim disa nga temat e diskutuara kanë qenë sundimi i ligjit, lufta anti-korrupsion, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Më tej në njoftim bëhet e ditur se Haxhiu gjatë takimit e ka cilësuar si bashkëpunim të shkëlqyer raportin e dikasterit të cilën ajo e drejton dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Bashkëpunim të shkëlqyer e quajti ministrja Haxhiu raportin me Ambasadën Amerikane në Kosovë, e cila ndër të tjera, përmes programeve si INL, OPDAT dhe ICITAP vazhdon të mbështesë procese të rëndësishme të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.
Në anën tjetër Zëvendës Ndihmës Sekretarja, Johnson, e ka vlerësuar si partnere të rëndësishme Kosovën në luftën globale kundër korrupsionit, për çka ka thënë se “ky bashkëpunim do të sjellë edhe rezultatet e saja në forcimin dhe zbatimin e ligjit dhe rendit juridik”.
“Të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë rezultate të mira dhe se i njëjti do të vazhdojë edhe më tej për t’i kontribuar forcimit të sundimit të ligjit dhe drejtësisë në Kosovë”.