Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, që së bashku me Damian Gjiknurin në 25 janar 2011 në KiE votuan kundër raportit të Dick Martyt për akuzat që ngrinte për UÇK-në dhe që përfshinte edhe Shqipërinë, i kërkoi sot opozitës që të vendosë dinjitetin në vend duke votuar sot rezolutën që i kërkon Këshillit të Europës që të tërhiqet nga balta.
“Unë i përkas shqiptarëve të Çamërisë, viktimë e gjenocidit dhe spastrimit etnik ku nuk kishte kush ti dokumentonte. E vërteta asnjëherë nuk është mësuar nga bota. Në atë kalvar biblik kam pasur tim gjysh dhe babanë tim” tha Idrizi, duke kujtuar pjesë nga fjalimi në 2011 në KiE.
Më pas thirrja ishte e hapur për opozitën. “Është akti i duhur për të vendosur në vend dinjitetin e këtij parlamenti. Ju ftoj të votojmë pro kësaj rezolute që është kundër raportit të Dick Martyt që është i rremë për t’i kthyer dinjitetin këtij parlamenti, si akt i vonuar. Sot është dita që të ulim heshtat kundër njëri tjetrit, sot është dita Thaçit dhe UÇK-së” tha ai.
Në procesverbalin e miratimit të kësaj rezolute të Dick Marty që inkriminonte UÇK-së në janar të vitit 2011, nga delegacioni parlamentit shqiptar votoi pro rezolutës së Dick Marty, kryetari i grupit, Ilir Rusmali, atëherë deputet i PD-së, ndërsa Damian Gjiknuri dhe Shpëtim Idrizi votuan kundër. Kurse pjesa tjetër e delegacionit shqiptar nuk ka qenë prezent.