Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka përshëndetur miratimin e hartës së re gjyqësore, që miratoi sot qeveria. Shefja e diplomacisë amerikane në Shqipëri thotë se harta e re është shembull dhe jep drejtësi pa vonesa.
“Mirëpresim miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore sot. Harta e gjykatave të Shqipërisë u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi që përfshiu Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë, si dhe ndihmë teknike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës.
Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit tre-vjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t’i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë” tha ajo.
Edhe BE e përshëndeti vendimin. “Miratimi i sotëm i hartës së re gjyqësore nga Këshilli i Ministrave është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar efikasitetin e gjykatave në Shqipëri.
Harta e re, e zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi dhe është zhvilluar me mbështetjen e ekspertëve të BE-së, Këshillit të Evropës dhe SHBA-së. Një plan solid zbatimi tani është kyç. Bashkimi Evropian mbetet një mbështetës i fortë i reformës në drejtësi në Shqipëri” mbyllet reagimi.
Por opozita dhe avokatët e kanë kundërshtuar dhe kanë paralajmëruar se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.