Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se shpreson që në fundjavë të mbyllet risistemimi i kaosit që shkaktoi sulmi kibernetik që bllokoi shërbimet publike në Shqipëri për disa ditë. Ai tha se po punohet me ekspertë amerikanë për të rikthyer gjithçka në normalitet si më parë. Garantoi se nuk është prekur asnjë e dhënë e qytetarëve.
“Skuadra e AKSHIT ka punuar natë dhe ditë dhe do të kemi një konferencë të posaçme për shtyp edhe me partnerët kur gjithçka të ketë përfunduar kur skuadra nga SHBA të mos ketë më nevojë të qëndrojë në tryezë me ekspertët tanë.
Ajo që dua të them është se sulmi nuk është i organizuar nga hakera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpesh herë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve edhe shumë më të mëdha duke bllokuar edhe sisteme kritike në gjoba për të vendosur gjoba të majme. Ky është një agresion i organizuar nga një shtet. Nuk kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej tyre shteteve të dyshuara, shpresoj ta bëjmë në vijim. Kjo është pjesa më delikate.
Roli i disa burimeve të informacionit ka qenë destruktiv dhe një rol i papranueshëm për një shoqëri demokratike, nuk e kuptojmë arsyen pse Top Channel është angazhuar në një fushatë dizinformimi masiv që në kushtet kur bëhet fjalë për të dhëna dhe shumëçka që lidhet me bazën e shtetit me inventarin krijon panik.
Ky është një sulm, një bombardim që nuk vjen nga qielli, por përmes internetit, një bombardim shumë i rëndë. Koha e marrë është rekord për të ngritur sistemet. Kur të kemi provat do të ndërmarrim aksione konkrete të natyrë diplomatike për cilindo prej këtyre dy shteteve që janë pas agresionit.
Me ato shtete nuk ka vend për të arsyetuar në mënyrë logjike, janë shtete që nuk duan të dinë për ligjin ndërkombëtar, por ne duhet të marrim hapat tanë, por nuk mund të marrim nëpër gojë dy shtete që nuk janë miqësore me Shqipërinë.
Nuk ka pse të merret për gojë ai shtet që nuk është i përfshirë. Ky sulm shumë i fortë kibernetik, tregoi forcën e sistemit tonë. Skuadra shpresoj që të përfundojmë brenda kësaj fundjave risistemimin pas bombardimit” tha ai.