Ylli Ibrahimi, i cili mbeti i plagosur në atentatin e djeshëm në Milot, ka dalë jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet jashtë spitalit ka pasur forca të shumta policore që kanë blinduar ndërtesën, teksa mjekët i kanë ardhur në ndihmë 46-vjeçarit Ylli Ibrahimi.
Ai mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme në qendër të Milotit teksa udhëtonte me makinë së bashku me 27-vjeçarin Klisman Preçi. Ky i fundit ndërroi jetë pak kohë pas ngjarjes, pasi nuk arriti t’i shpëtonte plagëve të marra. Rreth 100 plumba u derdhën drejt mjetit të tyre të blinduar.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Milotit përpara një sheshpushimi pallati. Dy persona të armatosur dhe të maskuar iu afruan dhe qëlluan në drejtim të Ibrahimit dhe Preçit, e më pas u larguan me shpejtësi.
Burimet policore raportojnë se viktima dhe i plagosuri udhëtonin me një automjet fuoristradë Toyota Land Cruiser të blinduar.
Disa minuta pas ngjarjes, në Borizanë të Krujës u gjet një automjet tip Audi i djegur. Dyshohet se ky mjet është përdorur nga atentatorët e ngjarjes së Milotit, pasi brenda tij u gjetën dhe dy armë kallashnikovë të shkrumbuara.
Viktima dhe i plagosuri rezultojnë persona me precedentë penalë, megjithatë për momentin si shkaqet ashtu edhe autorët e kësaj ngjarjeje mbeten të panjohura. Ibrahimi njihet si mik i afërt i Vis Martinajt, një personazh i njohur i biznesit dhe krimit, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia, pasi dyshohet se paguar për të vrarë ish anëtarin e Bandës së Durrësit Endrit Dokle.