Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Robert Hysenllari, gjatë një deklarate për mediat bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri.
Ai tha se janë angazhuar 190 forca operacionale në terren me 28 mjete, ku përfshihen forcat zjarrfikëse, policisë së shtetit, forca vullnetare, trupa të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor si dhe punonjës të emergjencave civile vendore, të cilat bënë të mundur izolimin e plotë dhe shuarjen e disa vatrave të zjarrit.
“Është bërë i mundur izolimi i plotë i zjarrit në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, në fshatin Burbullush në bashkinë Vau-Dejës, në fshatin Mashë, në Fshatin Radë dhe në mbikalimin e Fllakës, Durrës, në Tragjas të Vlorës, në Vergo të Delvinës, në fshatin Plashnik i Madh dhe Terpan të Poliçanit, Bogovë të Skraparit, Kodër Krastë të Elbasanit dhe fshatin Kukur të Gramshit”, njofton Hysenllari.
Ai ka lajmëruar se aktualisht janë aktive dy vatra zjarri.
Njëra në Bërzanë në bashkinë Lezhë ku operacioni nisi që në orën 5 te mëngjesit nga forcat e armatosura dhe forcat e pushtetit vendor, për fikjen përfundimtare të vatrave dhe në fshatin Shetaj të Durrësit ku është vetëm një vatër aktive, e cila zhvillohet me Intensitet të ulët.
Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm përgjatë fundjavës, ku sipas Institutit të Gjeoshkencës parashikohen ditë të nxehta në të gjithë vendin dhe risku nga zjarret është i lartë”, tha ai .
Hysenllari këshilloi të mos hidhen në asnjë rast bishtat e cigareve në zona ku ka bar, pasi ekziston mundësia për nisjen e një zjarri!
“Mos ndizni zjarre në pyje! Nëse ndizni zjarr në kamping, mos u largoni pa u siguruar që është fikur tërësisht!”
“Pastrimi i kullotave me anë të zjarrit bëhet vetëm me autorizim të ndërmarrjes pyjore të rrethit ku ndodhet kullota”, vijoi ai.
“Ju rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit”.