Vijon debati për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit, pasi opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile dhe ekspertëve e kundërshtojnë ashpër. Ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit Auron Tare u është drejtuar përmes një letre publike dhe një video deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Tare publikon një video të një leksioni të Richard Hodges, kreut të Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin dhe i fton deputetët ta dëgjojnë.
Në këtë video, Hodges jep leksione para studentëve duke e cilësuar vendin tonë si produkt të fuqive të mëdha dhe shtet të formuar pa pasur asnjë shqiptar në kohën e themelimit.
“Është një vend (Shqipëria) i krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar, nga anglezët dhe fuqitë e tjera të mëdha në Londër. Morën një vendim politik pas Luftës së Dytë Ballkanike”– thotë Hodges.
Tare iu drejtohet deputetëve duke iu thënë se ky është njeriu që kanë votuar në unanimitet jo vetëm të drejtojë 10 vitet e ardhshme Qendrën e Trashëgimisë Botërore të Butrintit, por edhe të rishkruajë të gjithë historinë e kësaj Qendre Arkeologjike Shqiptare.
REAGIMI I PLOTË I TARES
Të nderuar Deputetë
Në linkun e mëposhtëm, Ju mund të dëgjoni pjesë nga leksionet e profesorit britanik Richard Hodges, në auditoret e Universiteteve Europiane. Prof. Hodges ish- Drejtues Shkencor i Fondacionit Butrinti, shpjegon qartësisht mendimet e tija mbi themelimin e Shtetit Shqiptar duke e quajtur atë “Shtet Artificial” i krijuar jo nga përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi por nga Britanikët dhe Fuqitë e Mëdha. Po kështu, si pjesë e leksioneve të tija prof. Hodges ju mëson studentëve të huaj se në fakt Lufta Ballkanike e 1913 nuk ishte një Luftë ku Jugu i Shqipërisë u dogj tërësisht nga ushtritë Greke, ku popullata e kësaj treve nuk shkoi në ullishtat e Vlorës ku një pjesë e madhe e fëmijëve dhe grave vdiqën nga uria dhe sëmundjet, ku fshatra të tëra nuk u rrafshuan përtokë, ku burrat e Hormovës nuk i therën në Kishën e fshatit. Përkundrazi sipas prof. Hodges kjo zonë e quajtur Epir u zbras nga popullata Greke duke ikur në Korfuz dhe në Greqi si rezultat i shqiptarëve.
Një transformim kaq thelbësor i historisë së fillesës së Shtetit Shqiptar nuk mund ta gjeni në asnjë tekst historie të vendeve fqinje, por siç mund ta dëgjoni në linkun e mëposhtëm kjo tezë jepet në Universitetet Europiane nga Prof. Hodges.
Prof. Richard Hodges, është personi të cilin Ju e votuat në unanimitet për të qenë njeriu që jo vetëm do të drejtojë për 10 vitet e ardhshme Qendrën e Trashëgimisë Botërore të Butrintit, por do të jetë personi që do të rishkruajë të gjithë historinë e kësaj Qendre Arkeologjike Shqiptare.
Duke Ju uruar dëgjim të këndshëm të Leksioneve të prof. Richard Hodges.