Ilir Meta mbrëmjen e sotme largohet nga Presidenca duke i dorëzuar “çelësat” Bajram Begajt.
Pesë vite në krye të shtetit u shënjuan nga fushata, përplasja me qeverinë, kthimi i mbi 70 dekreteve dhe dy tentativa për shkarkim, që në fund nuk u kurorëzuan.
Nga nesër për Ilir Metën nis një kapitull i ri, i cili është paralajmëruar shumë kohë më parë. Por cfarë do të ndodhë? Nesër LSI, partia që vetë Ilir Meta themeloi ka mbledhur Konventën, e cila nuk do të jetë zgjedhore, por politike.
Një burim nga LSI tha për “5pyetjet.al” se Ilir Meta nesër do të mbajë një fjalim në Konventë dhe se do të ketë surpriza të tjera, pa dhënë detaje.
Duke qenë se Konventa është vetëm politike, nesër nuk pritet që Meta të zyrtarizohet në krye të LSI-së, por mesazhi do të jetë i tillë për një fillim të ri, ose “agim të ri” sikur e ka cilësuar vetë kreu i shtetit në disa postime në rrjetet sociale.
5 vite në Presidencë pa qetësi dhe dashuri duket e kanë frymëzuar Ilir Metën për t’u rikthyer sërish në bazë si një opozitar për një fillim të ri.