Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të nisin përgatitjet për valën e re të pandemisë COVID-19, që mund të ndodhë në vjeshtë dhe dimër, tha më 25 korrik shefja shëndetësore e bllokut, duke theksuar se ka pasur “rritje shqetësuese” të shpërthimeve të virusit.
Komisionerja për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore e BE-së, Stella Kyriakides, po ashtu tha paralajmëroi se nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi pandemia nuk ka përfunduar.
“Fatkeqësisht pandemia ka treguar rritje shqetësuese në disa shtete”, tha ajo për radion shtetërore të Qipros.
“Në dy muajt e fundit, ne jemi duke u përgatitur për vjeshtën dhe dimrin, të vetëdijshëm plotësisht se vala e re e pandemisë nuk mund dhe nuk duhet të rëndojë edhe më shumë ekonomitë dhe shoqëritë tona, veçanërisht në kohën kur ato janë prekur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe inflacioni”, tha ajo.
Kyriakides, e cila është nga Qipro, i tha radios së këtij shteti se Komisioni Evropian u ka kërkuar shteteve anëtare që të përshpejtojnë vaksinimin me doza përforcuese të popullsisë mbi 60 vjeç dhe të grupeve të ndjeshme.
“Këta muaj duhet të jenë muaj përgatitor… në mënyrë që sistemet tona shëndetësore të jenë gati për valën e re të mundshme, e cila mundet, për shembull, të kombinohet me gripin stinor”, tha ajo./REL