Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh sot se Edi Rama e shkarkoi Arben Ahmetajn nga posti i numrit dy në qeveri për shkak të aferës së inceneratorëve.
Por, për ish-kryeministrin Berisha, Rama është përgjegjës direkt për këtë skandal, pasi sipas tij firmosi vetë kontratën me procedurë të mbyllur, e cila “është e paligjshme” tha ai.
“Edi Rama për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdha në historinë e vendit, të djegësave ka shkarkuar nga detyra Arben Ahmetajn.
Me këtë rast, unë duke e konsideruar Ahmetajn, një nga eksponentët kryesorë të mafies së djegësave, shtoj se kreu i kësaj afere është një dhe vetëm një; Edi Rama.
Në aferën e inceneratorëve, ai ka firmosur, sikur ka pohuar vetë në kundërshtim me ligjin. Edi Rama ka firmosur në mënyrën më të paligjshme. Edi Rama është koka, e kësaj, meduza” tha ai.