Shqipëria pritet që të ketë një vit pozitiv turistik referuar shifrave të publikuara nga INSTAT. Ashtu si dhe në maj, edhe në qershor, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend është rritur ndjeshëm, duke bërë që për 6 mujorin, ardhjet e turistëve të rriten ndjeshëm në raport me 2019-n.
INSTAT ka publikuar sot hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj brenda territorit, në muajin Qershor 2022, që janë 1.359.501. Ky tregues rezulton me një rritje 44,6 %, krahasuar me Qershor 2021. Në Qershor 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 876.056. Ky numër është rritur me 45,0 %, krahasuar me Qershor 2021.
Hyrjet e shtetasve
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5,1 herë, ndërsa Kosova ka pasur rritjen më të ulët me 12,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021
Daljet e shtetasve
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2022, janë 1.262.925 duke shënuar një rritje me 44,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2022 janë 498.857.
Krahasuar me Qershor 2021, ky numër është rritur me 34,2 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2022, janë 764.068. Krahasuar me Qershor 2021, ky numër është rritur me 52,3 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2022, është 2.519.533 duke u rritur 47,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë