Deputetja Mesila Doda, kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaroi sot se të gjithë personat që kanë qenë pjesë e sigurimit të shtetit dhe bashkëpunëtor të regjimit të kaluar duhet të largohen nga politika.
Ajo ishte në takimin e thirrur nga Lindita Nikolla, që e njohu me kërkesën e Autoritetit të Dosjeve, ku brenda rezultoi se Ilir Meta kishte qenë sigurims. Doda, tha se ishte njohur vetëm me inicialet brenda dosjes, jo emrin e plotë, por kërkoi miratimin e ligjit të lustracionit.
“Kemi akoma disa iniciale, që nuk e kemi kush janë. Nëse kemi mes nesh njerëz që kanë një të kaluar të errët me organet e dhunës së sistemit, kjo do të thotë se është dështim total.
Është koha që në sezonin e ri parlamentar të nisë puna për lustracionin, heqjen e të gjithë personave që kanë të kaluar të errët, dhe që të jenë akoma në poste kyçe. Emrat duhen bërë publik, absolutisht. Nëse janë kolegët tanë të dalin me emra. Unë i kërkoja kryetares së kuvendit, të kërkojë pastërtinë e figurës për 140 deputetët” tha Doda.