Autori i dyshuar i vrasjes së Saimir Jakut në 2016 në Rrëshen, refuzon të flasë përpara hetuesve. Pavarësisht tentativave të shumta nga ana e grupit hetimor 40-vjeçari, Dorian Keqi nuk pranon të jap shpjegimet e tij lidhur me vrasjen e ish- drejtorit të OST-së, 6 vite më parë.
Nga hetimet e kryera policia dhe prokuroria dyshojnë se 40-vjeçari nga Kruja dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar të jenë paguar për krimin e kryer nga një grup kriminal që vepron në qarkun e Lezhës.
Identifikimi i Dorian Keqit si një nga autorët e vrasjes së Jakut u bë vetëm pak ditë më parë. 40-vjeçari u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe nga marrja e shenjave të gishtërinjve rezultoi se ato përputheshin me gjurmët e administruara në 2016 në vrasjen e ish-anëtarit të Këshillit Bashkiak të Rrëshenit si përfaqësues i Partisë Socialiste.
Një gjurmë e përftuar në bidonin e benzinës me të cilën u dogj makina e përdorur në vrasjen e Saimir Jakut, identifikoi 40-vjeçarin Keqi. Ky i fundit paraditen e së enjtes pritet të dalë përpara gjykatës së Lezhës aty ku do përballet me akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese” si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve”.