Për herë të parë në javë, Rusia lëshoi raketa të enjten në zonën e kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, dhe rajonin verior të Chernihiv, në atë që Ukraina pretendoi se ishte hakmarrje për rezistencën e saj të vazhdueshme ndaj pushtimit të Moskës.
Rusia sulmoi rajonin e Kievit me gjashtë raketa të lëshuara nga Deti i Zi, duke plagosur 15 persona, pesë prej tyre civilë, tha një guvernator rajonal ukrainas. Ukraina tha se kishte rrëzuar një nga raketat, por forcat e Moskës kishin goditur një kompleks ushtarak në fshatin Liutizh jashtë kryeqytetit, duke shkatërruar një ndërtesë dhe duke dëmtuar dy të tjera.
Guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba i lidhi sulmet me kremtimin e Ditës së Shtetësisë që Presidenti Volodymyr Zelenskyy themeloi vitin e kaluar dhe që Ukraina shënoi të enjten për herë të parë.
“Rusia, me ndihmën e raketave, po hakmerret për rezistencën e gjerë popullore, të cilën ukrainasit ishin në gjendje ta organizonin pikërisht për shkak të shtetësisë së tyre”, tha Kuleba për televizionin ukrainas. “Ukraina ka thyer tashmë planet e Rusisë dhe do të vazhdojë të mbrohet”.
Guvernatori rajonal i Chernihiv Vyacheslav Chaus raportoi se Rusia gjithashtu kishte gjuajtur raketa nga Bjellorusia fqinje në fshatin Honcharivska. Rajoni i Chernihiv nuk ishte shënjestruar prej javësh.
Rusia u tërhoq nga zonat e Kievit dhe Chernihiv muaj më parë pasi dështoi të pushtonte asnjë nga rajonet ose të rrëzonte qeverinë e Zelenskyy.
Ndërkohë, Ukraina tha se kishte nisur një ofensivë për të rimarrë rajonin Kherson që Rusia mori kontrollin më herët gjatë luftës, të mërkurën duke rrëzuar nga funksioni një urë kyçe mbi lumin Dnieper.
Mediat ukrainase cituan këshilltarin presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych të ketë thënë se forcat e Kievit po planifikonin të izolonin trupat ruse dhe t’u linin atyre tre opsione – “tërhiqni, nëse është e mundur, dorëzoheni ose shkatërroheni”.
Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, paralajmëroi se rusët po shtojnë forcat e tyre në rajonin e Khersonit, duke thënë: “Një lëvizje në shkallë shumë të gjerë të trupave të tyre ka filluar”.
Ushtria britanike vlerësoi se Ukraina kishte përdorur artilerinë e saj të re me rreze të gjatë, të furnizuar nga Perëndimi për të dëmtuar të paktën tre nga urat mbi Dnieper, në të cilat Rusia është mbështetur për të furnizuar forcat e saj.
Vlerësimi ditor nga Ministria Britanike e Mbrojtjes tha se qyteti i Kherson “tani është praktikisht i shkëputur nga territoret e tjera të okupuara”.
Zyrtarët rusë thanë se forcat e tyre do të përdorin mënyra të tjera për të kaluar zonat me ura të dëmtuara, duke përfshirë urat ponton dhe tragetet.
Këshilltari i Zelenskyy, Arestovych pranoi se forcat ruse kishin marrë nën kontroll termocentralin e dytë më të madh të Ukrainës. Megjithatë, ai e karakterizoi zhvillimin si vetëm një “përparësi të vogël taktike” për rusët.