Ka shkaktuar reagime të shumta harta e publikuar nga ish-presidenti i Rusisë, Medvedev. Ai postoi dy harta në Telegram. E para prej tyre tregonte territorin ukrainas që përfshinte Krimenë dhe dy rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk. “Në mendjen e droguar të presidentit të Ukrainës, kjo është tabloja e së ardhmes së ndritur të vendit të tij” shkroi Medvedev në hartën e parë.

Harta e dytë tregonte një Ukrainë të fragmentuar, me pjesën më të madhe të territorit të saj të aneksuar nga Polonia, Hungaria, Rumania dhe kryesisht Rusia. “Analistët perëndimorë besojnë se në realitet do të duket diçka e tillë”, shkruan Medvedev në postimin e tij për hartën e dytë, pa specifikuar se cilëve analistë u referohej.

Hartat e Medvedevit kanë ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale, ku shumë prej tyre i kanë quajtur “konfirmim” të planeve të errëta të Rusisë për Ukrainën. Por ka pasur edhe më shumë reagime zyrtare, si nga Rumania, e cila në hartën e Medvedev duket se ka “thithur” rajonet e Vinnytsia dhe Chernivtsi.