Emanuele Ndoj duket se në këtë sezon me fanellën e Breshias do të mund të shprehë përsëri të gjithë talentin e tij. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka lënë pas dëmtimet dhe po zhvillon një fazë përgatitore të mirë me ekipin, gjë që u pa edhe në ndeshjen e sotme miqësore ndaj Mantovës, ku ai ishte protagonist.
Ndoj shënoi në suksesin 4-1, duke shfaqur një lojë shumë të mirë në organizimin e ekipit. Ai shënoi golin e dytë për skuadrën e tij në minutën e 26 të ndeshjes me një goditje spektakolare nga jashtë zonës, duke marrë edhe duartrokitjet e shokëve të skuadrës së tij.
Një paraqitje e mirë për futbollistin i cili në fillimet e verës u kërkua nga Tirana, e gatshme që t’i jepte atij mundësi aktivizimi në Ligën e Kampioneve.
Por Ndoj ktheu mbrapsht ofertën bardheblu duke menduar të qëndronte në kampionatin italian dhe me Breshian që nuk heq dorë nga shërbimet e tij, pritet të jetë përsëri protagonist në Serinë B në këtë edicion.