Pas disa të shtënave me armë zjarri një person ka vdekur mbrëmjen e kaluar në Pescara të Italisë.
Viktima quhej Walter Albi, 66 vjeç dhe është i regjistruar në regjistrin e arkitektëve. I plagosur rëndë është edhe Luca Cavallito, 48 vjeç, një ish-futbollist me precedentë penalë.
Një rindërtim i dëshmive konfirmon se një person i mbërritur me motoçikletë ka
goditur të paktën gjashtë herë me armë.
Nga të parët që ngriti alarmin ishte një punonjës i Bar Parkut i cili u fsheh
poshtë një tavoline dhe kontaktoi 118 duke folur me zë të ulët.
“Ik, ik, po i qëllojnë të gjithë”. Sipas dëshmive të mbledhura nga ANSA në
vendngjarje, kjo është ajo që thanë disa nga djemtë që ndodheshin aty pranë dhe
u larguan pas të shtënave. Një rrëmujë, me njerëz të fshehur pas mureve.
Sipas dëshmive sulmuesi ishte i veshur tërësisht me të zeza dhe me një helmetë të plotë të fytyrës dhe u largua me motoçikletë me shpejtësi, ndërsa shumë njerëz nga Pescara kaluan Strada Parco për t’u kthyer në shtëpi pas ditës në plazh.
Ky episod i përgjakshëm në Pescara nuk është i ri. Vrasja e fundit daton në natën e Vitit të Ri, ndërsa një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në prill pikërisht në Piazza Salotto, me
plagosjen e rëndë të një punonjësi restoranti.