Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri.
Ministria e Mbrojtjes njofton se prej tyre janë shuar 20 dhe mbeten ende aktive shtatë vatra zjarri.
Nga vatrat e zjarrit aktive, ajo në fshatin Liqeni i Zi, bashkia Mat, është më e rrezikshmja pasi rrezikon Parkun Kombëtar të “Qafe Shtame”, me gjithë ndërhyrjen e bërë nga forcat operacionale për ditën e djeshme dhe gjate natës nuk u bë e mundur shuarja e kësaj vatre zjarri.
Sot në orët e para të mëngjesit ka filluar operacioni nga toka me forcat operacionale e mbështetur nga ajri me helikopter Cougar të Ministrisë së Mbrojtjes.
Vatra e tjetër është ajo në fshatin Postribë, bashkia Shkodër, ku intensiteti i flakëve është rritur në orët e para të mëngjesit dhe 30 Forca të Armatosura po punojnë për fikjen e saj.
Në fshatin Malin e Zorgjit, njësia administrative Shalës, sipër fshatit Nderlysa, bashkia Shkodër, aktualisht po vijohet puna nga forcat e pushtetit vendor për izolimin e kësaj vatre zjarri.
Nga vatrat e zjarrit aktive, ajo në fshatin Liqeni i Zi, bashkia Mat, është më e rrezikshmja pasi rrezikon Parkun Kombëtar të “Qafe Shtame”, me gjithë ndërhyrjen e bërë nga forcat operacionale për ditën e djeshme dhe gjatë natës nuk u bë e mundur shuarja e kësaj vatre zjarri. 50 Forca të Armatosura po punojnë për fikjen e saj.
Dhe, në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, është riaktivizuar vatra e shuar ditë më parë. Si pasojë e erës së fortë është përhapur në mënyrë të pakontrolluar duke vënë në rrezik banesat dhe bizneset në vijën bregdetare. Menjëherë është realizuar ndërhyrja nga ajri për të normalizuar situatën, në mënyrë që të vijohej puna nga toka. Ditën e sotme kanë vijuar punën forcat e bashkisë Durrës dhe FA për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit.
Në fshatin Mukaj, bashkia Krujë, gjatë mbrëmjes së djeshme deri në orët e para të mëngjesit shërbimi MZSH i bashkisë Krujë ka punuar për shuarjen e zjarrit së bashku me vullnetarë, forca të shërbimit pyjor, sektorët e emergjencave dhe ADZM. Zjarri ka përfshirë gjithë sipërfaqen e kodrës dhe ditën e sotme intensiteti i vatrës është shumë i ulët dhe po punojnë për shuarjen përfundimtare.
Në fshatin Dragobi, bashkia Tropojë zjarri i rënë në një sipërfaqe malore me pemë ahu vijon të digjet me intensitet të ulët brenda vatrave të saj. Ditën e sotme kanë filluar punën për izolimin e vatrave aktive nga forcat e bashkisë dhe ADZM.
Në fshatin Skuraj, bashkia Kurbin, zjarri pati një përhapje të menjëhershme i ndihmuar dhe nga era duke rrezikuar tre banesa. Forcat zjarrfikëse, forcat e bashkisë Kurbin dhe vullnetare u vunë ne mbrojtje te banesave duke larguar rrezikun për djegien e tyre. Puna ka vijuar gjate gjithë natës nga Bashkia Kurbin. Operacioni vazhdon.
Në aksionet për shuarjen e flakëve gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 411 efektivë të forcave zjarrfikës, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare, 31 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter Cougar i cili ka operuar në “Liqeni i Zi German”, bashkia Mat dhe në fshatin Shetaj, bashkia Durrës.
Ministria e Mbrojtjes siguron se “strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin”.
“Gjithashtu rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit”, mbaron njoftimi.