Një shqetësim shumë i madh është shkaktuar nga rënia e nivelit të ujit të lumit Rhine, i cili në shumë vende është afër tharjes, duke rrezikuar kështu transportin e sasive të mëdha të mallrave në ‘zemër’ të Europës.
Në qytetin Kaub, Gjermani i cili është një nga pikat kryesore të tregtisë së mallrave, niveli i ujit pritet të bjerë gjatë fundjavës në 47 cm.
Çfarë do të thotë kjo?
Se nëse niveli i ujit bie dhe me shtatë centimetra të tjera atëherë kalimi i anijeve do të jetë i pamundur.
Siç dhe e dimë Evropa tashmë po përballet dhe me krizën energjetike pasi Rusia hap dhe mbyll kanalet e gazit natyror sipas dëshirës.
Nëse Rhine bëhet i paarritshëm për anijet, kjo do të jetë dhe një telash tjetër për kontinentin e vjetër pasi një sërë produktesh, nga karburantet tek kimikatet, nuk do të mund të transportohen, duke rritur shqetësimet për rrezikun e një recesioni në Eurozonë dhe Gjermani.
‘’Dërgesat e qymyrit tashmë janë të kufizuara pasi niveli i ulët i ujit nuk i lejon të gjitha anijet të lundrojnë. Dhe ata që e bëjnë, detyrohen të transportojnë më pak mallra”, thekson EnBË , një nga kompanitë e furnizimit me energji. “Kostoja e dërgimit të qymyrit është rritur, gjë që po rrit koston e funksionimit të centraleve.”
Për shkak të krizës së gazit natyror , shumë vende në Evropë, përfshirë Gjermaninë, janë detyruar të riaktivizojnë termocentralet me qymyr dhe lëndë djegëse fosile në një përpjekje për të reduktuar varësinë nga Rusia.
Krahas produkteve energjetike, Rhine është një korridor kyç dhe për transportin e makinave, pjesëve të këmbimit, ushqimeve dhe mijëra mallrave të tjera, me vlerë për ekonominë dhe shoqërinë.
Në fund të çdo viti miliona ton me mallra transportohen përmes lumit, i cili fillon në Zvicër dhe derdhet në Detine Veriut dhe përshkron një rrugë prej 1300 kilometrash.
Problemi nuk kufizohet vetëm në Gjermani.
Zvicra , e cila normalisht përdor Rhine për të importuar karburant, tani po detyrohet të përdorë rezervën e saj strategjike, pasi niveli i ulët i ujit e ka bërë transportin joekonomik.
E njëjta gjë vlen edhe për vendet e tjera, si Republika Çeke dhe Austria .
“Me transportin në Rhine në rrezik, rrugët alternative si hekurudha apo autostrada janë dukshëm më të shtrenjta. Dhe kjo e bën të vështirë për vendet që të mbushin depozitat e tyre të karburantit përpara se të vijë dimri” , tha për Bloomberg Josh Folds, një analist në Facts Global Energy.
Shtetet anëtare të BE-së po punojnë për të mbushur ruajtjen e energjisë në 80% të kapacitetit të përgjithshëm deri në fillim të dimrit, në mënyrë që të jenë gati të përballen me rrezikun e ndërprerjeve të gazit rus.
Sipas analistëve, nëse Moska “ndërpret” plotësisht rrjedhjet e gazit (sot ato janë në 20%), atëherë Gjermania rrezikon të humbasë 4.8% të PBB-së.