Babai i vogëlushes 7-vjeçare që humbi jetën në plazhin e Himarës ka dhënë dëshminë e tije në lidhje me ngjarjen tronditëse. Bledar Avdija tha se ishte ora 14 kur ai me të bijën po laheshin në det kur skafi që drejtohej nga Arjan Tase hyri me shpejtësi dhe e ndau nga vajza e më pas goditi vogëlushen me pjesën e poshtë të motorit. Ai tregoi që fillimisht skafi u largua por më pas u kthye.
Dëshmia e plotë:
Ishte ora rreth 14:00 dhe pranë bregut të detit isha duke u larë me vajzën. Në ato momente pashë një skaf të bardhë, me dy veta brenda tij. Skafi parkoi në bregun e plazhit pranë një hoteli dhe pashë që zbriti një vajzë dhe më pas një grua me dy fëmijë hipën në skaf dhe drejtuesi i skafit kaloi litarin me piketa dhe ishte duke lundruar në drejtimin ku po lahesha me vajzën. Erdhi në drejtimin tonë dhe hyri me shpejtësi të madhe dhe na ndau mua dhe vajzën. Unë u zhyta poshtë nën ujë dhe skafi goditi vajzën time me pjesën e motorit, duke e dëmtuar në të gjithë trupin. Skafi u largua, por pastaj skafisti u kthye, duke ndaluar skafin në breg”, mësohet të ketë thënë babai i 7-vjeçares.