-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ligji i Pagave, Kosova rrezikon të përballet me greva

Kryesoret

Kosova rrezikon të përballet me grevë të përgjithshme sindikale në muajin shtator, për shkak të vonesës së Qeverisë në projektligjin e Ligjit të Pagave. E kjo pritet të ndodhë në kohën kur vendi po përballet me shumë probleme: inflacionin dhe ikjen masive të popullsisë drejt vendeve perëndimore.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend në mars, ashtu siç ishte premtuar nga Qeveria e Albin Kurtit. Në programin legjislativ ishte parashikuar që ky projektligj të trajtohet më 30 mars 2022. Por, nuk ndodhi ashtu.

As pas gati katër muajsh, Qeveria nuk e ka gati këtë projektligj dhe ende nuk dihet se kur do të bëhet publik.

Sindikalistët në Kosovë kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme, pasi pretendojnë se Qeveria e Kosovës nuk po i përfill kërkesat e tyre e as nuk po i fton në takim për të diskutuar rreth Ligjit të Pagave.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, bëri ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, universitetet, por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme.

Ai ka thënë se kërkesat e tyre janë 100 euro shtesë në paga dhe se më 10 gusht do të mbajnë edhe një mbledhje të jashtëzakonshme me kryesinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

“Të gjitha këto angazhime jemi duke i bërë në kuadër të BSPK ku jemi pjesë bashkë me federata tjera. Më 14, kishim takimin e jashtëzakonshëm të BSPK dhe analizuam situatën.

Fatkeqësisht arritëm në përfundim se as angazhimi ynë i fundit dhe i vetmi që na kishte mbetur, pas protestave dhe grevave, nuk ka dhënë rezultat, ngaqë qeveria nuk i është përgjigjur as ndërmjetësuesit me çka ka treguar se është kundër dialogut.

Edhe në kuadër të BSPK, në takimin e këshillit drejtues, është marrë vendimi që më 10 gusht të mbahet edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së dhe rrugëtimi ynë, fatkeqësisht në mungesë të dialogut, po na çon drejt grevave.

Ne do të fillojmë me grevë para se të nisë viti shkollor, pra me 24, kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do të kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim, grevën do ta fillojmë një javë para se të nisë mësimi me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga, që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”.

Jashari ka thënë se pjesë e grevës do të bëhen edhe universitet.

“Nëse më 24 gusht dhe më 1 shtator qeveria nuk reflekton, atëherë opinioni le ta dijë, më 1 shtator nisim me grevë, ku në vend të nxënësve dhe ziles do të kemi mësimdhënës, por jo në punë, në grevë, dhe do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat tona.

Vazhdimisht kemi këmbëngulur që çerdhet të mos jenë pjesë e grevave, për shkak se po tentohet një pjesë e qytetarëve tanë që nuk kanë faj dhe i kanë fëmijët në këto çerdhe, mirëpo ata kanë insistuar dhe nuk mund t’i largojmë nga greva.

Sa i takon SBASHK-ut, më 1 shtator do të kemi grevë në çerdhet e Kosovës në arsimin parauniversitar, në fillore e të mesme. Nëse greva zgjat deri më 1 tetor do t’i kemi edhe Universitetet në grevë”.

Ku ka mbetur ligji

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, deklaroi se Projektligji i Pagave është në fazën e vlerësimeve të fundit në Ministrinë e Financave.

Sa u përket vonesave për miratimin e këtij Projektligji, Sveçla tha se janë bërë me arsyen e vetme – “po punojmë për një ligj që mbulon gjithë sferën e nevojave të çdo institucioni, ku pastaj do të sillte një lloj barazie”.

“Normalisht që kjo nuk është e lehtë të arrihet. Ka kërkesa dhe aspirata të drejta të punonjësve që statusi i tyre të përmirësohet.

Por të gjitha këto të krahasohen me njëra-tjetrën dhe të jenë në përputhje me kapacitetet buxhetore. Ky Ligj është duke u punuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

Ligji tashmë është i përfunduar dhe është në fazën e vlerësimeve të fundit në Ministrinë e Financave, në mënyrë që të kalojmë në diskutime publike sa më parë që është e mundur”, u shpreh Sveçla.

Ai ka theksuar më tej se, “nuk do të bëjmë një ligj që do të jetë pengesë në zhvillimin e vendit tonë dhe sjell padrejtësi”.

Për këtë çështje, ditë më parë është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në një konferencë për media, ka thënë se janë duke punuar që ta finalizojnë sa më shpejt Projektligjin e Pagave dhe ta nxjerrin pastaj për diskutim publik.

“Projektligji për pagat nuk është shtyrë për vitin e ardhshëm. Përkundrazi, jemi duke punuar që ta finalizojmë dhe ta nxjerrin sa më shpejt në diskutim publik”, është shprehur kreu i ekzekutivit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, duke mbajtur në duar pankarta më mbishkrimin “ku është ligji i pagave”, kërkoi sqarim se pse ende nuk është miratuar ky ligj.

Ai deklaroi se Qeveria ka dështuar të miratojë këtë nismë ligjore siç kishte paralajmëruar.

“Ky ligj ka qenë pjesë e axhendës legjislative të vitit 2021, dhe ka pasur zotim të qeverisë që në fund të marsit të kalojë në qeveri. Ku është ligji i pagave, ku jeni fshehur me këtë ligj, ku është procesi i punës për finalizimin e ligjit. Pse na keni thënë se bëhet në mars, apo është pazotësi e juaja dhe nuk dini të bëni këtë ligj?”, tha Tahiri.

Historia

Ligji i pagave është miratuar një herë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ligji është shfuqizuar dhe që nga ajo kohë ka mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike, që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend.

Ligji i shfuqizuar ka paraparë rritjen e pagës së një mësimdhënësi të shkollës fillore nga 470 euro në 612 euro; të një arsimtari të shkollës së mesme nga 525 në 621 euro, dhe të asistentëve dhe profesorëve universitarë nga 1,070 në mbi 1,338 euro.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta. Paga mesatare neto, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 542 euro.

Kurse paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro, për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është dhënë mundësia për të tërhequr 10% të kursimeve në Trust, për të përballuar më lehtë vështirësitë ekonomike që mund t’iu kishte shkaktuar pandemia. Në atë kohë, nga Trusti u tërhoqën afro 200 milionë euro.

Sipas një raporti të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP në Kosovë, 40% të rritjes së depozitave e kanë nxitur kursimet e nxjerra nga Trusti, që janë deponuar në llogari private dhe nuk janë shpenzuar menjëherë.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat, rreth 380 euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se 25,000 familje me 102,333 anëtarë kanë marrë asistencë sociale nga buxheti i shtetit të Kosovës. Kjo asistencë u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

Agjencia e Statistikave ka thënë se tashmë inflacioni ka shkuar si kurrë më parë, në 14.1%. Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet./MONITOR

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit