-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Orban përdor sportin për të zgjeruar ndikimin e Hungarisë jashtë vendit

Kryesoret

Që nga viti 2016, Qeveria e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka dhënë miliona euro për klubet sportive në Tokën Szekeli, –një rajon në Rumani i banuar kryesisht me hungarezë etnikë – duke financuar ndërtimin e stadiumeve të futbollit, akademi sportive dhe infrastrukturë tjetër. Të gjitha këto janë bërë para syve të Bukureshtit.

E ashtuquajtura Toka Szekeli gjendet në rajonin qendror rumun të Transilvanisë. Vlerësohet se 1 milion banorë jetojnë në qarkun Harghita dhe Sovasna, por edhe në Mures. Edhe pse vetëm pak mbi 50 për qind e popullsisë identifikohen si hungarezë etnikë, ky rajon për një kohë të gjatë ka bërë thirrje për autonomi më të madhe nga Bukureshti, nëse jo për pavarësi të plotë.

Qeveria e Orbanit shpesh është akuzuar se nxit thirrje të tilla. Edhe pse Budapesti thotë se qëllimet e tij janë të mira dhe shumë në Bukuresht nuk kundërshtojnë, të paktën publikisht. Por, investimet e Hungarisë në sektorin e sportit në Transilvani shihen me dyshim nga të tjerët. Analistët dyshojnë se Orban po përdor sportin si pjesë të diplomacisë për të fituar besimin, jo vetëm të njerëzve në Rumani, por edhe në shtetet e tjera fqinje ku jetojnë numër i konsiderueshëm i hungarezëve etnikë.

Në rajonin rumun të Transilvanisë, flamuri jozyrtar i Szekelit shpesh valëvitet dhe himni jozyrtar dëgjohet nëpër ndeshje sportive. Vet Orban në disa raste ka shikuar nga afër disa prej ekipeve të hungarezëve etnikë që luajnë në këtë rajon.

Rasti i fundit ishte në korrik kur Orban – një adhurues i sportit dhe ish-lojtar amator i futbollit ndoqi nga afër ndeshjen midis Sepsi OSK nga Covasna të Rumanisë dhe një ekipi të Lubjanës, ndeshje kualifikuese për Ligën e Konferencës të UEFA-s.

Ndeshja e futbollit e 21 korrikut u luajt disa ditë para se Orban të mbante fjalimin, tashmë famëkeq, në rajonin rumun të Transilvanisë para një turme të madhe të hungarezëve etnikë, kur foli për racat e përziera dhe identitetin kombëtar hungarez. Ky fjalim nxiti një valë të reagimeve në mbarë botën, përfshirë nga Uashingtoni, Brukseli, por edhe nga grupet hebreje.

Se sporti është mjet për të forcuar identitetin hungarez u tha më herët gjatë këtij viti nga ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto. “Sporti është një prej mjeteve kryesore për të ruajtur dhe ndërtuar identitetin dhe krenarinë kombëtare”, tha ai gjatë një konference për media në janar në Bukuresht, teksa foli përkrah ministrit rumun të Sportit, Eduard Novak. Ky i fundit nuk bëri asnjë kundërshtim apo nuk shprehu asnjë rezervë, të paktën publikisht, për deklaratat e kryediplomatit hungarez.

Fitimi i mendjeve përmes sportit

Por, ndoshta Bukureshti duhet të shqetësohet. Sipas një hulumtimi të ueb-faqes hungareze, index.hu, Budapesti ka investuar mbi 83 milionë euro në sektorin e sportit në komunitetin hungarez në Tokën Szekeli. Shumica e këtyre investimeve janë bërë në sportin e futbollit dhe hokejit, që duket se janë dy sportet e preferuara të Orbanit. Vlera e investimeve të Bukureshtit është vetëm një pjesë e vogël nëse krahasohet me milionat e investuar nga Budapesti.

Orban e ka bërë të qartë se identiteti dhe krenaria kombëtare hungareze shkon përtej kufijve të Hungarisë dhe kjo përfshin edhe zonat në rajonin e Transilvanisë së Rumanisë, ose pellgun e Transkarpateve.

Në fjalimin e tij më 23 korrik në Baile Tusnad, në qarkun Harghita të Transilvanisë, Orban tha: “Ne [hungarezët] nuk jemi racë e përzier… dhe ne nuk duam të bëhemi racë e përzier”, duke shtuar se shtetet e përziera evropiane dhe jo-evropiane “nuk janë më kombe”.

“Në kohërat e vështira që na presin përpara, për të mbajtur gjallë ambiciet tona kombëtare, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar. Atdheu duhet të mbetet i bashkuar dhe Transilvania dhe zonat e tjera të banuara me hungarezë në pellgun e Karpateve duhet të qëndrojnë të bashkuar”, përfundoi Orban.

Orban po vepron sipas planit, tha Stefano Bottoni, një historian italian i specializuar për Hungarinë. Ai tha se kryeministri hungarez i krahut të djathtë nuk është i interesuar të ndryshojë kufij, por mendje. “Ky mund të quhet revizionizëm. Orban ka ndërtuar një politikë përtej kufijve dhe një sistem kulturor përmes parave, vizionit, ideologjisë, shkollave verore, por edhe rrjeteve sociale dhe kulturore”, tha Bottoni për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë.

“Kur Orban flet për pellgun e Karpateve, kjo përfshin të gjitha territoret e ish-perandorisë Astro-Hungareze. Por, këtu nuk përfshihet rishikim territorial. Unë mendoj se dallon nga revizionizmi i luftës. Revizionizmi i viteve 1920-1930 kishte për qëllim rimarrjen e territoreve. Tani, territori nuk është diçka e rëndësishme. Njerëzit janë më të rëndësishëm”, shtoi ai.

Partneri i Orbanit në Rumani

Më 2016, Parlamenti hungarez kaloi një ligj që i mundëson Qeverisë të financojë sektorët e sportit në diasporën hungareze. Ky legjislacion kundërthënës është kritikuar nga shtetet në të cilat jetojnë komunitete të konsiderueshme hungareze.

Deklaratat dhe manovrat e Orbanit në Rumani kanë bërë që në qendër të vëmendjes të vihet partia e hungarezëve etnikë, Aleanca Demokratike e Hungarezëve në Rumani (UDMR). Kjo parti është pjesë e koalicionit qeverisës të Rumanisë.

Pas deklaratave raciste të Orbanit të bëra në Rumani, presidenti rumun, Klaus Iohannis, i kërkoi kësaj partie që të reagonte menjëherë.

Lideri i partisë UDMR, Hunor Kelemen, i cili është edhe zëvendëskryeministër, por edhe disa ministra të tjerë etnikë hungarezë e shoqëruan Orbanin gjatë qëndrimit të tij në Rumani dhe janë parë duke duartrokitur teksa ai mbante fjalim.

“UDMR-ja duhet që publikisht të ofrojë sqarime, pasi një pjesë e madhe e udhëheqësisë së saj dhe ministrat ishin prezentë” në ngjarjen ku Orbani bëri deklaratat raciste, tha Iohannis.

Në investimet e Orbanit në fushën e sportit në Rumani dyshohet se UDMR-ja luan rol kyç. Kjo parti shpesh akuzohet se po krijon “autonomi të sportit” në të ashtuquajturën Tokë Szekeli.

REL-i ka zbuluar se disa prej investimeve të Budapestit në sport kanë ardhur përmes Fondacionit Mens Sana. Ky fondacion udhëhiqet nga Tanczos Barna, ministri i Mjedisit të Rumanisë dhe kryetar i partisë UDMR. Fondacioni është krijuar më 1995 nga famullitë e Kishës Katolike në komunitetet e hungarezëve etnikë në Transilvani.

Tifozllëku i Orbanit për ekipet rumune

Duke lënë anash deklaratat raciste, udhëtimet e shpeshta të Orbanit në Transilvani për të mbështetur ekipet hungareze etnike kanë shkaktuar habi në Rumani.

“Më duket e çuditshme. Duket shumë e çuditshme. Kryeministri i Hungarisë vjen në Rumani dhe bën tifozllëk për një ekip nga Rumania. Unë jam njeri apolitik, nuk dua të përfshihem në këto diskutime, por nuk mendoj se diçka e tillë mund të ndodhë në Hungari”, tha për një rrjet sportiv në Rumani, Florin Raducioiu, ish-yll i futbollit rumun.

Në periudhën 21-27 korrik, Orban ka bërë tri vizita publike në Szekeli, edhe pse ai zyrtarisht nuk ishte ftuar nga autoritetet rumune. Gjatë dy vizitave të para, Orban u mburr me investimet e qeverisë së tij në ekipet e futbollit në këtë rajon. Ai po ashtu ndoqi nga afër një ndeshje futbolli. Vizita e tretë më 23 korrik u përshkrua me fjalimin e tij ksenofob.

Të gjithë vëmendjen dhe paratë që Orban ia ka dhënë këtij rajoni ka bërë që shumë persona që jetojnë aty të pyesin se kush qeverisë me këtë zonë, tha për REL-in, Bodgan Desan, mësues në këtë rajon rumun.

Desan, familja e të cilit është kryesisht me prejardhje hungareze, ka frikë se ngjarjet sportive mund të shndërrohen në rrufepritës për ekstremistët, duke tërhequr turma më të mëdha për të amplifikuar mesazhin e tyre.

“Toka Szekeli nuk është më një ide abstrakte, një teori për shumë grupe ekstremiste. Kjo është fitorja më e madhe e politikave të Orbanit. Flamuri i Szekelit, himni, nuk janë më vetëm domen i lëvizjeve ekstremiste”, tha Desan. “Ishte kështu deri në vitet 2013, 2014, ndoshta edhe deri më 2016,2017. Përmes ndeshjeve sportive, të ekipeve që financohen nga Budapesti, kushdo në këtë rajon mund të ketë kontakt me simbolet e Tokës Szekeli”, shtoi ai.

Obsesioni i Orbanit me sportin

Sipas të dhënave, Orban ka kaluar një pjesë të fëmijërisë në fshatin Felcsut, rreth 40 kilometra në perëndim të Budapestit. Në këtë fshat duket se ai ka hedhur hapat e parë në futboll. Madje, ai ka luajtur për ekipin amator të qytetit, që bënte pjesë në divizionin e katërt, kur u zgjodh për herë të parë kryeministër në fund të viteve ’90.

Në kohën kur jetoi në Felcsut, Orban u miqësua me Lorinc Meszaros, i cili më vonë u bë kryetar i fshatit dhe po ashtu një prej njerëzve më të pasur të Hungarisë. Shumë besojnë se ai e fitoi pasurinë fal lidhjeve të tij me Orbanin.

Viktor Orban për një kohë të gjatë është tifoz i futbollit.
Viktor Orban për një kohë të gjatë është tifoz i futbollit.

Meszaros po ashtu u bë kryetar i Akademisë së futbollit Puskas. Ky ekip dhe akademi futbolli, që u themeluan më 2007, kanë përfituar shumë nga financimet shtetërore, përfshirë edhe financimin e ndërtimit të stadiumit me kapacitet prej 3.800 personash, apo dyfish më shumë sesa popullsia e qytetit.

Financimi i ekipeve të futbollit në Rumani

Modeli që u përdor me Akademinë e futbollit Puskas, u tentua që të aplikohej edhe jashtë, në Rumani. Ekipi i futbollit Csikszereda ka selinë në Miercurea Ciuc, që gjendet në Szekeli. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në këtë vend mbi 80 për qind e 38.000 banorëve identifikohen si hungarezë etnikë. Ekipi u përball me kohë të vështira gjatë komunizmit, por u ringjall më 2012.

Ky ekip aktualisht është në divizionin e dytë të Rumanisë dhe sezonin e kaluar ishte shumë pranë kalimit në ligën e parë. Një vit pasi u ringjall, ekipi arriti marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e futbollit Puskas dhe krijoi akademinë e tij për të rinjtë.

Me një buxhet vjetor prej 2 milionë eurosh, akademia ka qendra trajnimi jo vetëm në Miercurea Ciuc, por edhe në tri qytete të tjera ku jetojnë komunitete të hungarezëve etnikë: Targu Mures, Odorheiu Secuiesc dhe Targu Secuiesc. Financimi vjen nga Budapesti, por sa para nuk dihet. Kjo akademi konsiderohet si një prej më të mirave në Rumani, duke i bërë konkurrencë shkollës së futbollit të themeluar nga Gheorghe Hagi, legjenda e futbollit rumun, që dikur quhej “Maradona e Karpateve”.

Ekipi i futbollit Sepsi OSK mbështetet nga Qeveria dhe kompanitë hungareze.
Ekipi i futbollit Sepsi OSK mbështetet nga Qeveria dhe kompanitë hungareze.

Por, ky nuk është ekipi i vetëm në Rumani që financohet nga Budapesti. Sepsi OSK besohet se është përfituesi më i madh nga investimet në sport të Orbanit. Ky ekip ka selinë në Sfantu Gheorghe, ku sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, banohet me 74 për qind etnikë hungarezë.

I themeluar më 2011, Sepsi OSK shumë shpejt korri suksese dhe hyri në ligën kryesore të shtetit më 2017. Në sezonin e fundit, ky ekip fitoi kupën në Rumani, duke siguruar në vend për garat evropiane.

Ky ekip operon përmes një fondacioni: Asociacioni i Klubeve të Sportit OSK të Sfantu Gheorghe. Hisedari më i madh me 51 për qind të aksioneve të klubit është Hodut Rom SRL, degë e kompanisë me seli në Hungari, Hodmezovasarhelyi Utepito.

Pronari i regjistruar i kësaj kompanie është Karoly Varga, një familjar dhe ish-bashkëpunëtor biznesi i Meszaros, shokut të fëmijërisë së Orbanit. Paratë nga Budapesti kryesisht financojnë programin për të rinjtë të klubit dhe jo pagat e lojtarëve, siç dyshojnë disa, tha presidenti i ekipit, Laszlo Dioszegi.

“Ne nuk kemi sekrete. Dy e treta e buxhetit është nga burimet hungareze, nga Qeveria hungareze. Ajo është pjesë e buxhetit për programin për të rinjtë, fëmijët dhe lojtarët e rinj. Siç dihet, rregullat evropiane ndalojnë që ekipet profesionale të financohen nga Qeveria”, tha Dioszegi për REL-in.

Ai tha se paratë për pagat e lojtarëve vijnë nga marrëveshjet me sponsorët, që të gjitha të lidhura ekskluzivisht me kompani hungareze. Sponsor i këtij ekipi është edhe kompania hungareze e energjisë, MOL. Sipas ueb-faqes hungareze Maszol.ro, këto marrëveshje sponsorizuese kanë vlerën prej 4.5 milionë eurosh për ekipin Sepsi. Kjo vlerë llogaritet të jetë shuma më e madhe e marrëveshjeve sponzorisuese në futbollin rumun.

Orban mbështeti Sepsin gjatë ndeshjes së 21 korrikut kundër ekipit slloven, Olimpija Ljubjana. Me shallin e ekipit Sepsi, Orban bëri tifozllëk për këtë ekip në stadiumin prej 8.500 ulësesh. Ky stadium është hapur vitin e kaluar dhe vlerësohet se ndërtimi i tij ka kushtuar 25 milionë euro. Një pjesë e fondeve është financuar nga Budapesti.

Kryeministri hungarez duket se shijoi këtë ndeshje sportive, duke bërë selfie me tifozët dhe duke nënshkruar autografe. Më vonë ai postoi disa prej këtyre fotografive në Instagram me mbishkrimin “Rrofshin hungarezët”.

Viktor Orban duke bërë fotografi me tifozët e Miercurea Cluc, para ndeshjes së ekipit kombëtar hungarez U-18 me ekipin nga Szekeli.

“Viktor Orban na uroi. Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar që Qeveria hungareze e ka ndërtuar stadiumin. E gjithë Qeveria erdhi në lojë. Ata na uruan dhe na thanë se kemi një ekip të mirë”, tha Dioszegi pas ndeshjes që Sepsi e fitoi me rezultat 3:1. Kjo fitore bën që ekipi të avancojë në rundin e ri të kualifikimeve të Ligës së Konferencës të UEFA-s.

Por, kjo nuk ishte ndeshja e vetme në Rumani që Orban përcolli nga afër gjatë asaj jave. Ai po ashtu shikoi një ndeshje më 23 korrik, ku luajti ekipi i ashtuquajtur kombëtar i Tokës Szekeli.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit