-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Vrasja e refugjatit 16-vjeçar me mitraloz ndez Gjermaninë

Kryesoret

Katër operacione policore dhe katër viktima, brenda një jave. Gjermania po diskuton sërish mbi dhunën policore dhe racizmin. Viktima më e fundit është një refugjat 16-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me mitraloz.

Ishte vetëmbrojtje apo tejkalim i kompetencave policore? Kjo është pyetja që shumë gjermanë kanë ngritur pas operacionit policor ku mbeti i vrarë një 16-vjeçar nga Senegali. Ngjarja ndodhi të hënën (08.08) në qytetin e Dortmundit në Renaninë Veriore-Vestfali, landi më i populluar gjerman. Kujdestari i një strehëze rinore telefonoi policinë për ndihmë, pasi një i ri i qendrës po shfaqte çrregullime mendore. Punonjësi pati frikë se Mohammed D., i mitur i pashoqëruar nga prindërit, ardhur nga Senegali në Gjermani, po tentonte të vetëvritej me thikë.

Me të mbërritur në vendngjarje, policia përdori spray djegës dhe pistoletë neutralizuese, por pa sukses. Oficerët policorë u shprehën se situata doli jashtë kontrollit, kur adoleshenti i kërcënoi ata me thikën e tij. Njëri prej tyre e qëlloi Mohammedin të paktën pesë herë. Djali humbi jetën sapo arriti në spitalin e Dortmundit. Pas ngjarjes, ndaj policit 29-vjeçar nisën hetimet, një procedurë rutinë, e cila ndërmerret nga grupi hetimor sa herë ka një shkëmbim zjarri me pasoja fatale.

Historik plot tensione

Vdekja e Mohammed kulmon një sërë aksidentesh të tjera fatale ku është e përfshirë policia gjermane. Në qytetet e Frankfurtit dhe Këlnit, dy burra që kërcënuan policinë me thikë u vranë nga oficerët, ndërsa në Oer-Erkenschwick një 39-vjeçar humbi jetën pasi efektivët e policisë përdorën spray djegës ndaj tij.

Ngjarja e fundit ka ngjallur dhjetëra protesta kundër brutalitetit policor në Dortmund, ku demonstruesit brohorasin “vrasës, vrasës” ndaj shërbimeve të sigurisë. Mohammed u vra në pjesën veriore të qytetit, aty ku vazhdimisht janë regjistruar episode të dhunës policore, e cila ka mbizotëruar shpesh titujt e medieve. Marrëdhëniet mes policisë dhe banorëve të zonës, shumica e të cilëve janë njerëz me ngjyrë dhe emigrantë, janë ekstremisht të tensionuara.

Thomas Feltes, avokat i specializuar në rastet ku akuzohet policia, i tha DW se oficerët policorë të Dortmundit Verior nuk shquhen për ndjeshmëri kulturore. Atje, thotë Feltes, patrullat dhe marrja në pyetje janë një procedurë rutinë ditore.

Trajnimi policor, nevojë urgjente

Pyetjes nëse rezultati i ngjarjes do të kishte qenë i njëjti nëse viktima do të ishtë një i bardhë gjerman, Feltes refuzon t’i përgjigjet. Ai nuk do të spekulojë.Megjithatë, ai u shpreh se është me vlerë të theksohet se situata ndërlikohet kur protagonistët nuk flasin gjermanisht, ndërkohë që policët nuk dinë gjuhë tjetër veç gjermanishtes. Policët e veriut të Dortmundit janë vazhdimisht nën akuzë për dhunë e vrasje.

Policia ka ende shumë punë për të bërë në luftën kundër racizmit dhe antisemitizmit, dhe jo vetëm në qytetin e Dortmundit. Sipas një kërkimi të fundit të bërë nga Shërbimi Mediatik i Migracionit, këto tema rrallë se janë pjesë e trajnimeve policore.Deri tani, të vetmet lande gjermane që kanë kryer studime të pavarura mbi racizmin në radhët e policisë janë Berlini, Saksonia e Ulët dhe Renania-Palatinate.

Ministri i Brendshëm i Renanisë Veriore-Vestfalisë, Herbert Reul, anëtar i CDU-së, deri tani i ka hedhur poshtë akuzat se policia ka tejkaluar kompetencat. Ai deklaroi se përdorimi i armës së zjarrit është i zakonshëm në situata përshkallëzuese dhe kërcënuese, çka mund të ngrihet si pretendim në ngjarjen e fundit, pasi i riu po kërcënonte policët me thikë.

“Situata po bëhej e rrezikshme, prandaj njëri prej oficerëve qëlloi nga distanca për të parandaluar dëmet ndaj kolegëve të tij” – thotë Reul.

Ligjvënësit, skeptikë për reagimin e policisë

Michael Maatz, zëvendës-drejtues i shoqatës së policisë në Renaninë Veriore-Vestfali, i tha DW se njerëzit e nënvlerësojnë rrezikun që vjen nga një sulm me thikë. Nëse agresori dëmton një arterie, mund të kesh hemoragji që të merr jetën, menjëherë. Maatz apelon që opinioni publik të kuptojë se policët “duhet të marrin një vendim brenda pak sekondash se si ta menaxhojnë një sulm të tillë” dhe se armët janë vetëm “zgjidhja e fundit” në një situatë të rrezikshme.

Gjithsesi, disa ligjvënës ngrenë pyetjen nëse kjo procedurë është ndjekur vërtet. Nicole Gohlke, zëdhënëse e Partisë “E Majta” në parlamentin gjerman, shkroi në Twitter se nuk e shpjegonte dot faktin se si “11 oficerë policie të pranishëm në vendngjarje, nuk ishin në gjendje të neutralizonin një 16-vjeçar”.

Policët, e patrajnuar për njerëz me çrregullime mendore

Verena Schäffer, drejtuese e grupit parlamentar të të Gjelbërve në Renaninë Veriore-Vestfali, u tha gazetarëve se ishte tronditur nga vdekja e adoleshentit, i cili kishte ardhur në Gjermani “për një të ardhme më të sigurt”. Kriminologu Rafael Behr, nga Akademia Policore e Hamburgut, e konsideroi ngjarjen “të pazakontë”. Edhe pse gjysmë-mitralozët janë një armë e zakonshme që gjendet rëndom në makinat policore, ajo përdoret vetëm “në situata absolutisht të jashtëzakonshme”.

Feltes e dënon me forcë reagimin e policisë, të cilin e konsideron të pabarabartë. “Adoleshenti kishte një thikë, por është e pamundur ta përdorësh atë për të dëmtuar shumë njerëz në një kohë të shkurtër. Sidomos kur vendngjarja nuk ishte në një zonë të populluar, por aty ishin vetëm 11 punonjësit policorë dhe i riu” – thekson ai. Feltes shton se policët duhet fillimisht të kishin punuar për të zbutur situatën, dhe jo për ta rënduar”.

Ai nuk do ta minimizojë faktin se vdekjet e shumta në javët e fundit janë diçka e zakonshme, duke theksuar se policia në Gjermani vret 20 njerëz në vit.

Një problem madhor, thotë Feltes, është fakti se policia nuk është e trajnuar siç duhet për të menaxhuar njerëz me çrregullime mendore, të cilët në momente të caktuara mund të kthehen në rrezik për veten ose të tjerët. Policët përfundojnë në skenarin që “s’dinë si t’u ofrojnë atyre ndihmë, përveçse t’i qëllojnë”, veçanërisht nëse personi nuk është spërkatur me spray djegës ose nuk është qëlluar me armë neutralizuese. “Për disa njerëz, të sëmurë mendorë, është më shumë se një sinjal që ata janë nën shenjestër dhe mund të mendojnë se duhet të vetëmbrohen” – thotë Feltes.

Në pikëpyetje edhe integriteti hetimor

Shoqata e Avokatëve Gjermanë (DAV) është mes grupeve që kërkojnë që këto ngjarje të hetohen imtësisht. Që në krye të herës ka pasur akuza se hetimet zyrtare janë të kompromentuara, sepse policia e Dortmundit po heton vdekjen e Oer-Erkenschwick, e cila është nën juridikisionin e qytetit të Recklinghausen. Nga ana tjetër, Recklinghausen po heton ngjarjen e Dortmundit. Ky është një konflikt i hapur interesi.

Aladin El-Mafaalani, akademik i cili studion emigracionin në Gjermani, u shpreh në Twitter se ky konflikt ngjall shumë pak besim rreth përfundimit të hetimeve. Feltes thotë se është “ekstremisht e pavend që këto ngjarje të trajtohen në këtë mënyrë”, duke shtuar se mënyra e duhur do të ishte që hetimet të kryheshin nga Zyra e Policisë për Kriminalistikën ose nga Ministria e Brendshme.

Kriminologu Rafael Behr, sugjeron ngritjen e një komisioni të jashtëm dhe të pavarur, i cili nuk është pjesë e hierarkisë policore. Megjithatë, një komision i tillë nuk ekziston në Gjermani.

DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit