Doktori i shkencave dhe një zë publik i njohur, Fabian Zhilla, së bashku me një grup njerëzish të shqetësuar për degradimin e programeve televizive për të rinj dhe jo vetëm, kanë iniciuar një peticion për ndaljen e tyre.
Zhilla pak ditë më parë shkroi një shkrim të fortë për këtë problem duke ngritur alarmin për këto “realit show”, të cilat po përhapin mesazhe amorale dhe modele shkatërruese për rininë shqiptare.
Ai kërkon ndërhyrjen urgjente të autoriteteve për të mbajtur nën kontroll apo ndaluar fare këtë degjenerim që përhapet edhe nga Televizione Kombëtare, ndaj edhe ky sondazh shërben për këtë lloj sensibilizimi.
“Kohëve të fundit është rritur transmetimi i programeve televizive të formatit “reality show” të cilat kanë degraduar duke cenuar seriozisht indin kulturor dhe moral të shoqërisë. Për këtë qëllim kjo iniciativë ka si objektiva rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe tërheqjen e vëmendjes autoriteteve shtetërorë për të zhvilluar politikat e duhura dhe marrë masat sipas ligjit ndaj të gjithë atyre programeve të cilat transmetohen nga të gjitha platformat mediatike publikisht të cilat dëmtojnë moralin publik, dhe veçanërisht zhvillimin fizik, mendor, dhe moral të të miturve”, shkruan Zhilla.