Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në një intervistë për median kosovare RTK, është shprehur se, “Të dy shtetet, duhet të punojnë për të mirën e të njëjtit komb”.
Begaj ka theksuar se bisedimet me udhëheqësit politikë në Kosovë kanë qenë shumë të frytshme dhe po ashtu, faktin se integriteti i Kosovës, është i padiskutueshëm.
“Shqipëria do t’i gjendet Kosovës në krah, pavarësisht çdo rrethane e vështirësie”, theksoi Begaj në përgjigjet e tij, duke përfshirë këtu edhe ndihmë direkte ushtarake nëse e nevojshme, referuar edhe situatave të fundit të tensioneve, të cilat janë krijuar në veri të Kosovës.
Megjithatë, ai e ka ravijëzuar faktin se rruga e duhur, është vetëm ajo e bisedimeve, marrëveshjeve dhe njohjes reciproke.
“Luftën e fituam”, vijoi Begaj, “por tani duhet të ruajmë paqen”.
Ndër të tjera, ai ka treguar se edhe Serbia e di se nuk është e thjeshtë të hysh në luftë apo konflikt, ndaj e cilësoi përpjekjen për paqe jo si ekskluzive të Kosovës, por të të dy palëve.