Dy persona u ekzekutuan sot në Vlorë. Ngjarja ndodhi në fshatin Panaja duke tronditur qytetin bregdetar në kulmin e sezonit turistik.
Viktima paraprakisht dyshohet se janë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, por ende informacioni nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Autorët kanë qenë tre që kanë qëlluar me breshëri kallashi në drejtim të makinës së dy viktimave që është bërë shoshë nga plumbat.
Tre killerat bashkë shoferin u larguan me shpejtësi duke djegur makinën në një fshat të Fierit dhe më pas me një tjetër makinë u zhdukën.
Policia bën me dije se makina e përdorur në atentat dyshohet të jetë e vjedhur në Durrës. Mjeti ‘BMW’ me targa italiane është denoncuar si e vjedhur në Drejtorinë e Policisë së Durrësit rreth 1 vit më parë.
Pistat
Dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me një hakmarrje. Dy emrat e viktimave lidhen me një ngjarje në gusht të vitit 2019 ku në Plazhin e Vjetër në Vlorë u vra një biznesmen pas sherrit për një kalë.
Njëri prej viktimave, Shpati Lena ishte në kërkim për ngjarjen e tre viteve më parë dhe u arrestua në mars të këtij viti, por pak javë më pas është liruar nga gjykata.
Çudia është e madhe si ka mundësi që si arriti që të lirohej nga qelia edhe pse ishte i kërkuar për vrasje dhe i kapur me dy pistoleta në makinë.
Këtë përgjigje duhet ta japë drejtësia. E ndërsa nga drejtësia shpëtoi, Lena u ekzekutua sot teksa udhëtonte në makinë bashkë me Hakim Xhezon.
Vrasja për hakmarrje
Por cfarë ndodhi në 2019? Pronari i lokalit në plazhin e vjetër në Vlorë Arben Beqiraj u ekzekutua pas sherrit për një kalë.
Ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019. Grupi i Shpati Lenës, vrau Arben Beqirajn pas një sherri për kalin e Eduart Xhezos që hyri në plazh.
Sherri nisi pasi Arben Beqiraj që u ekzekutua rrahu Gazmend Alushin, punëtorin që kujdesej për kalin e Eduart Xhezos.
Shpati Lena ishte miku i tyre ndërsa Hakim Xhezo, që u vra sot është i vëllai i pronarit të kalit, Eduartit.
Grupi hetimor dyshon se pista kryesore e ekzekutimit të tyre sot lidhet me hakmarrjen e tre viteve më parë.