Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-ministri Haxhi Aliko. Ai ishte pedagog dhe personalitet i Shkencave Veterinare në Shqipëri. Pasi u zgjodh deputet, ai u emërua ministër i Bujqësisë në qeverinë e Bashkim Finos në vitin 1997. Jeta e profesor Haxhi Alikos ishte e lidhur ngushtë me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.
“Si pedagog, Prof. Haxhi Aliko ka qenë kompetent i padiskutueshëm në lëndën e fiziologjisë dhe njëherësh tepër metodik e serioz në raport me studentët. Njohuritë e thella, qetësia dhe elokuenca në përçimin e njohurive si dhe formimi i tij kulturor universal, ishin tiparet dalluese që i dhanë atij statusin e një profesori autoritar në mjedisin universitar. Edhe sot e kësaj dite, gjenerata të shumta të studentëve i kujtojnë me nostalgji leksionet e mrekullueshme të Prof. Alikos.
Prof. Haxhi Aliko ka shumë vlerësime, tituj e dekorime në jetën e tij dhe është një nga personalitetet me gjurmë të pashlyera në historinë e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare! I paharruar kujtimi dhe puna e Profesor Haxhi Aliko!’- njofton Mjekësia Veterinare Shqiptare.