Manchester United, që është në telashe të mëdha në këtë fillim sezoni për shkak të dy humbjeve radhazi në Premier League dhe çështjes “Ronaldo” (portugezi ka kërkuar me ngulm largimin), kërkon dëshpërimisht përforcime kur kanë mbetur vetëm dy javë nga mbyllja e merkatos verore.
Nëse negociatat me Juventusin për Adrien Rabiot u mbyllën pa rezultat për shkak të kërkesave të tepruara ekonomike të menaxheres dhe njëkohësisht nënës së mesfushorit, Veronique, tashmë sytë janë hedhur te futbollisti i Lazios, Milinkovic-Savic.
Sipas raportimeve të tabloidit britanik “The Telegraph”, ka pasur kontakte mes drejtuesve të “Djajve të Kuq” dhe përfaqësuesve të mesfushorit serb në pronësi të Lazios, me klubin kryeqytetas që mund të arkëtojë një shifër afër 50 milionë euro.
Nuk është hera e parë që emri i Milinkovic-Savic përmendet si dëshirë i Manchester United. Për të paktën disa sezone, mesfushori serb, i cili zbarkoi në Romë në gusht të viti 2015 nga Genk në këmbim të 12 milionë eurove (plus 9 të tjera të paguara në arkën e klubit belg në 2017 për t’i hequr 50% të vlerës në rast rishitjeje në të ardhmen), është një objektiv i deklaruar i klubit historik anglez. Njëkohësisht, sipas zërave të merkatos, drejtuesit e United po shohin mundësinë e blerjes së Casemiros nga Reali.