Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, dy viktimat e atentatit të Vlorës sipas mediave mësohet se ishin nisur drejt burgut të Lushnjes.
Në automjet u gjetën rroba dhe ushqime, të cilat do t’ia çonin Eduard Xhezoz, vëllait të Hakim Xhezos, i dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Arben Beqirajt.
Momenti i goditjes është kryer pikërisht në një zonë ku nuk ka kamera sigurie të bizneseve, por dhe s’ka lëvizje të qytetarëve.
Ngjarja ndodhi në fshatin Panaja duke tronditur qytetin bregdetar në kulmin e sezonit turistik. Autorët kanë qenë tre që kanë qëlluar me breshëri kallashi në drejtim të makinës së dy viktimave që është bërë shoshë nga plumbat.
Tre killerat bashkë shoferin u larguan me shpejtësi duke djegur makinën në një fshat të Fierit dhe më pas me një tjetër makinë u zhdukën.
Dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me një hakmarrje. Dy emrat e viktimave lidhen me një ngjarje në gusht të vitit 2019 ku në Plazhin e Vjetër në Vlorë u vra një biznesmen pas sherrit për një kalë.
Autori kryesor i ngjarjes, Eduart Xhezo, ka pasur një konflikt me Arben Beqirajn disa orë para ngjarjes. Shkak është bërë kalimi i tij me kalë para biznesit të tij.
49-vjeçari dhe i biri i kanë kërkuar Xhezos që të mos kalojë para lokalit, pasi shqetësonte plazhistët.
Kjo ka sjellë një konflikt fizik të djalit të pronarit të lokalit me personin që po kalëronte. Më pas, Eduart Xhezo,ka shkuar për t’u sqaruar, por konflikti është përshkallëzuar më tej, duke çuar në shkrehjen e armës.
Mësohet se Xhezo, në momentin që ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të Beqirajt, ka qenë i shoqëruar nga tre persona të tjerë.