Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me incidentin në uzinën e armëve në Gramsh, ku tre rusë sulmuan me lëndë kimike dy ushtarë shqiptarë.
Blushi i bën thirrje kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes që të lënë pushimet dhe të sqarojnë si ka ndodhur ngjarja.
Sipas tij është shumë e rëndë që ky incident ti ndodhë një vendi anëtarë të NATO-s
“Partia e Lirisë i bën thirrje Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe institucioneve ligjzbatuese përgjegjëse të sqarojnë menjëherë incidentin e ndodhur në Uzinën Ushtarake të Gramshit, ku sipas të dhënave të raportuara në media, disa shtetas rusë kanë dhunuar dhe lënduar me mjete kimike disa ushtarë.
Kjo ngjarje shumë e rëndë, që i ndodh një vendi anëtar të NATO-s, që lidhet me sigurinë kombëtare, por dhe kolektive të Aleancës, meriton një hetim të menjëhershëm dhe transparent.
Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, të ndërpresin menjëherë pushimet dhe të japin para shqiptarëve informacion të detajuar dhe zyrtar mbi këtë ngjarje, që nuk mund të zbardhet vetëm duke u lënë në dorën e raportimeve mediatike.
Partia e Lirisë u shpreh të gjithë solidaritetin familjeve të ushtarëve të lënduar dhe u uron atyre shërim sa më të shpejtë!
Të tilla ngjarje të rënda dëshmojnë edhe njëherë papërgjegjshmërinë e Qeverisë në raport me ruajtjen e sigurisë kombëtare, që duhet të jetë prioritet, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në kushtet kur aktorë të tjerë prej kohësh po përpiqen të destabilizojnë rajonin tonë”, shkruan Blushi.