Dy rusët dhe ukrainasi të arrestuar mbrëmë në Gramsh akuzohen për tre vepra penale nga drejtësia shqiptare. Mikhail Zorin 23-vjeç dhe Svetlana Timofeeva 33 -vjeç nga Rusia dhe 25-vjeçari ukrainas Fiodor Mihailoviç akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete” dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.
Por sa vite burg rrezikojnë bazuar te Kodi Penal i Shqipërisë?
Goditje për shkak të detyrës
Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Dhënia e informatave sekrete
Dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër një fuqie të huaj për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Sigurimi i informatave
Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.









