KPK është ndarë në vlerësimin e gjyqtares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani. Shumica e përbërë nga kryesuesja Genta Tafa (Bungo) dhe anëtarja Pamela Qirko vlerësuan se Kapedani ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, se nuk ka arritur nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës, si dhe me veprimet e saj ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi ka dalë në pakicë duke i vlerësuar të pabazuara konkluzionet e shumicës dhe kërkon konfirmimin në detyrë të Kapedanit.
Kapedani u shkarkua më 18 maj 2022. Në vendimin e arsyetuar të Komisionit sqarohet se cënimi i besimit të publikut tek drejtësia është konkluduar bazuar në paraqitjen nga subjekti në mënyrë të pasaktë të marrëdhënies dhe transaksioneve të kryera nga bashkëjetuesi i saj me një shtetas të dënuar në Itali për krim të organizuar, nga i cili ka blerë një kamion për çmim disa herë më të lirë nga sa e ka shitur pak muaj më vonë, si dhe i ka dhënë një hua në vlerën 28 mijë euro.
Në vlerësimin tërësor të çështjes lidhur me cënimin e besimit të publikut, janë përfshirë edhe regjistrimi i videove nga ana e subjektit të rivlerësimit në ambjentet e punës, që më pas u publikuan në Tik Tok. Po ashtu, shumica vlerëson se Kapedani ka cënuar besimin e publikut edhe me depozitimin në Komision të deklaratave noteriale të denoncuesve të saj, të cilët kanë deklaruar se nuk i kanë kryer ata ankesat.
Ndërsa relatorja Bekteshi çmon se Kapdeani duhej të ishte konfirmuar në detyrë në aplikim të parimeve të proporcionalitetit dhe objektivitetit.
Më 17 janar 2021, në bazë të një marrëveshje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ e pezulloi Kapedanin nga detyra për 6 muaj, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë të Drejtësisë, ILD pas publikimit në TikTok të disa videove të regjistruara prej saj në zyrë dhe teksa drejtonte automjetin.
Deklarim i pamjaftueshëm për pasurinë
Si burim krijimi të një gjendje cash në shumën 400 mijë lekë dhe dhënies së një huaje në vlerën 28 mijë euro, bashkëjetuesi i subjektit ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një kamioni në tetor të vitit 2016 për çmimin 32 mijë euro, pasuri që e kishte blerë në prill të atij viti nga shtetasi L.L., për shumën 950 mijë lekë.
ILDKPKI ka ngritur dyshime për deklarim të rremë të këtyre transaksioneve, për të cilat vëren se janë kryer jashtë sistemit bankar. Po ashtu, vëren se subjekti ka deklaruar në 2016-ën veprime që sipas dokumenteve janë kryer në 2017-ën, konkretisht huadhënien nga bashkëjetuesi i subjektit, shtetasit L.L.
Edhe Komisioni vëren të njëjtën situatë. “Vihet re se shitja e kamionit është kryer në vitin 2016 dhe huadhënia në vitin 2017. Veprimet financiare që i përkasin dy viteve të ndryshme kalendarike, bashkëjetuesi i subjektit i ka deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2016”, konstaton KPK dhe i ka analizuar këto transaksione sipas viteve përkatëse.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se shitësi i kamionit, e kishte blerë këtë pasuri të luajtshme për vlerën 1.1 milion lekë. Duke ballafaquar çmimin e shitjes së mjetit nga bashkëjetuesi për vlerën 32 mijë euro, me atë të blerjes për shumën 950 mijë lekë, KPK e vlerëson këtë transaksion jashtë logjikës ekonomike dhe ngre dyshime për fiktivitet.
Komisioni nuk e ka konsideruar në analizë vlerën e fitimit të realizuar nga shitja e kamionit, pasi nuk është provuar pagimi i detyrimit tatimor mbi këtë fitim. Për rrjedhojë, në analizën financiare të vitit 2016 është konkluduar balancë negative në shumën 3.2 milionë lekë për të kryer investimet dhe mbuluar shpenzimet familjare.
Kapedani i ka kundërshtuar këto konstatime me argumentin se transaksionet janë kryer bazuar në shprehjen e vullnetit të palëve kontraktore, si dhe ka sjellë në vëmendje të trupës vendime të Komisionit për raste të ngjashme. Sipas subjektit, huaja është dhënë në vitin 2016 dhe për shkak të mirëbesimit nuk është formalizuar atëherë, por një vit më vonë. Po ashtu, ajo ka theksuar se të ardhurat nga shitja e Kamionit nuk kanë shërbyer për krijimin e ndonjë pasurie, por thjesht janë konsumuar ndër vite.
Edhe relatorja Bekteshi i qëndron variantit të Kapedanit. Sipas Bekteshit, shumica nuk konkludon definitivisht në këtë çështje. “[…]Pasi konstatoj se nga ana e saj/shumicës herë konkludohet se çmimi i blerjes është fiktiv pasi mjete të tilla kanë vlera më të larta në treg, herë konkludohet se çmimi i shitjes është fiktiv, pasi është shitur me vlerë disa herë më të lartë se blerja e tij”, konstaton ajo dhe i çmon pa lidhje me situatën konkrete konkluzionet e shumicës për fiktivitet.
Po ashtu, Bekteshi vlerëson ndryshe edhe për mospagimin në kohë të detyrimeve tatimore për fitimin e siguruar nga shitja e kamionit. Sipas relatores, pagesa me vonesë e tatimit e “shëron” këtë të ardhur si të ligjshme.
“[..]Konkludoj se qëndrimet e subjektit kanë qenë konseguente, të njëjta, të pandryshuara dhe se kurrsesi ajo nuk mund të penalizohet për faktin se i jep ligjit një interpretim të ndryshëm nga Komisioni, aq më tepër që interpretimi i saj nuk ka sjellë asnjë pasojë”, shprehet Bekteshi dhe konkludon se nuk gjen rrethana për penalizimin e subjektit.
Shumica i vlerëson jobindëse shpjegimet e Kapedanit dhe konkludon se ajo ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë, të rremë e të pamjafuteshëm për katë pasuri, si dhe se ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. “Subjekti ka tentuar të paraqesë në mënyrë të pasaktë marrëdhënien e bashkëjetuesit të saj me z. L.L në lidhje me huan dhe transaksionet ekonomike që lidhen me shitblerjen e automjetit tip kamion, duke deklaruar të dhëna të pasakta, si dhe duke depozituar dokumentacion fiktiv në lidhje me blerjen në vlerën 950.000 lekë të kamionit, shitjes së tij në vlerën 32.000 euro dhe dhënies së huas në vlerën 28.000 z. L.”, konstaton shumica dhe vlerëson se subjekti e ka cënuar besimin e publikut qoftë dhe vetëm me këtë mënyrë sjelljeje
Kundërshtitë për figurën
Edhe në kriterin e figurës, problemet kanë qenë të lidhura me shtetasin L.L., personi që i shiti bashkëjetuesit kamionin dhe që mori huanë nga vlera e shitjes së asaj pasurie të luajtshme.
Sipas gjetjes së ONM-së, shtetasi L.L. rezultonte I dënuar në Itali me 7 vjet burg dhe gjobë në vlerën 35 mijë euro, për veprën penale “mbajtje, transport dhe shitje e lëndëve psikotrope(trafikimi i narkotikëve)”. Vëzhguesi ndërkombëtar ka dhënë mendim rreth nevojës që Komisioni të vlerësojë nëse është cënuar nga subjekti besimi i publikut, me anën e sjelljes dhe kontakteve sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të etikës, pasi shtetasi l.L. është cilësuar si person tjetër i lidhur.
Në vendimin e KPK thuhet se është hetuar lidhur me provueshmërinë e pasjes dijeni të subjektit dhe bashkëjetuesit të saj për dënimin e shtetasit L.L.. Shumica evidenton përgjigjet e subjektit të rivlerësimit lidhur me pyetjet për transaksionet e kryera mes bashkëjetuesit të saj dhe shtasit L.L. për kamionin dhe huanë.
Kapedani ka deklaruar ndër të tjera se mes bashkëjetuesit dhe shtetasit L.L ka pasur njohje shoqërore. Pas këmbënguljes së vëzhguesit ndërkombëtar për të dhënë detaje për mënyrën e njohjes së shtetasit L.L., Kapedani ka shpjeguar se ai është lindur në të njëjtën zonë me bashkëjetuesin e saj dhe se kanë njohje që në fëmijëri.
Një tjetër rrethanë që evidenton shumica si indicie për miqësinë mes tyre, është edhe fakti se bashkëjetuesi i subjektit është përmendur në një procedim penal ku palë në konflikt ka qenë L.L. dhe një shtetas tjetër.
Bazuar në këto deklarime dhe në transaksionet e kryera për shitjen e kamionit dhe dhënien e huasë, Komisioni ka ngritur dyshime se bashkëjetuesi i subjektit kishte pasur dijeni mbi dënimin e shtetasit L.L. në Itali.
Pas kalimit të barrës së provës, Kapedani ka deklaruar se bashkëjetuesi i saj dhe shtetasi L.L. kanë pasur njohje se kanë lindur në të njëjtin fshat, por ka theksuar se ata nuk kanë pasur ndonjëherë lidhje shoqërore me njëri-tjetrin, të paktën deri në vitin 2016 kur është kryer shitja e mjetit dhe dhënia e huasë.
Kapedani ka sjellë si argumente edhe faktin se asnjë institucion shtetëror nuk ka qenë në dijeni të këtij dënimi të shtetasit L.L. dhe se një rrethanë e tillë nuk nuk është pasqyruar në media.
Lidhur me raportimin e bashkëjetuesit në një konflikt ku palë ka qenë shtetasi L.L., Kapedani këmbëngul se nuk ka asnjë provë që kjo e dhënë të jetë e vërtetë. Sipas saj, emri bashkëjetuesit të saj duhet të jetë shënuar nga një punonjës policie, si hakmarrje individuale.
Edhe Bekteshi në pakicë vlerëson se nuk qëndrojnë konstatimet e shumicës, duke pretenduar se kontratat mes bashkëjetuesit të subjektit dhe shtetasit L.L. janë lidhur në padijeni të plotë të dënimit në Itali.
Bungo dhe Qirko i vlerësojnë të pabazuara në fakte e në ligj pretendimet e Kapedanit. “Pas kalimit të barrës së provës, është përpjekur të përjashtojë një marrëdhënie shoqërore midis bashkëjetuesit të saj dhe shtetasit L.L ku, ndërkohë, në lidhje me huan ka deklaruar se bazuar në marrëdhënien e mirëbesimit që ekzistonte midis bashkëjetuesit dhe këtij shtetasi nuk u pa e nevojshme formalizimi i saj me shkrim në kohën e dhënies së huas”, konstaton shumica dhe shton se rrethanat tregojnë për një marrëdhënie shoqërore mes bashkëjetuesit dhe shtetasit L.L., që nuk mund të klasifikohet si kontakt i rastësishëm.
Në përfundim, shumica konstaton gjendjen e cenimit të besimit të publikut për subjektin e rivlerësimit, duke marrë në konsideratë faktin e ndërthurjes së interesave personale të Kapedanit dhe bashkëjetuesit të saj, me një person të dënuar për vepra që përfshihen në krimin e organizuar.
Profesionalizmi
Ndryshe nga procesi disiplinor në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, ILD dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ lidhur me videot e Tik Tok, ku Kapedani bazuar në një marrëveshje të kërkuar prej saj, u pezullua nga detyra për gjashtë muaj, shumica e Komisionit i vlerëson rrethanat si penalizuese.
Subjekti ka pretenduar se në rastin konkret gjetjet e Komisionit lidhur me publikimin e disa videove të saj në rrjetin social “Tik Tok”, janë jashtë periudhës së rivlerësimit dhe se i vetmi organ kushtetues që ka juridiksion dhe kompetencë për t’i hetuar ato është ILD-ja, ndërsa për për të marrë një vendim është KLGJ-ja. Kapedani e quan çështjen si gjë të gjykuar dhe është mbështetur në këtë argument prej anëtares në pakicë të Komisionit, Brunilda Bekteshi.
Por, shumica sjell në vëmendje përmbajtjen e marrëveshjes së lidhur midis gjyqtares Kapedani dhe ILD-së, ku konstatohet se subjekti ka përdorur ambientin e zyrës së kryetarit, si dhe ambiente të tjera të gjykatës, “për të realizuar video të imazhit të vet personal, me lëvizje dhe sjellje provokuese, të shoqëruara në sfond me muzikë të natyrës jo të hijshme dhe të papërshtatshme për imazhin e një magjistrati”.
“Sjelljet dhe veprimet e subjektit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës por në ambientet e ushtrimit të detyrës, provohet se janë sjellje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e magjistratit dhe dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, duke u parashikuar si shkelje disiplinore[…]”, citohet në vendimin e KPK përmbajtja e pikës 14.18 të marrëveshjes mes ILD-së dhe subjektit, të nënshkruar nga kjo e fundit.
Po ashtu, në marrëveshje është dakordësuar se veprimet e Kapedanit kanë “cenuar besimin edhe të një vëzhguesi të zakonshëm te ky institucion në dhënien e drejtësisë”. Duke u bazuar në vetë ato çfarë ka pranuar në marrëveshje Kapedani, shumica ka çmuar që ta shqyrtojë këtë situatë në vlerësimin e përgjithshëm të të tre kritereve.
Nga 12 denoncimet e depozituara nga publiku, në katër raste ka rezultuar se subjekti ka depozituar deklaratë noteriale të denoncuesve ku pretendohet se nuk i kanë kryer ata ankesat. Pretendimet e subjektit se këta persona janë kontaktuar nga avokati vlerësohen deklarative nga shumica, e cila i vlerëson këto veprime të Kapedanit në kundërshtim me etikën e magjistratit./BIRN