Të paktën 271 studentë të ekselencës u kualifikuan për t’u punësuar përkohësisht në institucionet e administratës shtetërore këtë vit, pas shpalljes së bërë më herët të thirrjes nga ana e Departamentit të Administratës Publike.
Në listën e bërë publike nga DAP janë renditur kandidatët e kualifikuar sëbashku me pozicionet vakante ku potencialisht ata mund të punësohen sipas përzgjedhjes që bëjnë gjatë paraqitjes.
Listimi i 271 kandidatëve është bërë sipas një sistemi pikëzimi duke u renditur nga kandidati me numrin më të lartë të pikëve tek ai me më të ulëta.
Studentët e ekselencës nisën të angazhohen në administratë pas një vendimi të miratuar nga qeveria në vitin 2019 i cili parashikon angazhim në institucione të studentëve në ciklin e parë ose të dytë të studimit të arsimit të lartë, me note mesatare 9 – 10 ose ekuivalent me të, në institucionet e huaja të arsimit të lartë.
Marrëdhëniet e punës së kandidatëve, të cilët lidhin kontratat e punës për periudhën 1-vjeçare, rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
Vendimi përcakton se në përfundim të kontratës 1-vjeçare, të lidhur sipas këtij vendimi, ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e shërbimit civil.
Raporti i Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin e shkuar raportoi se për rreth 4410 pozicione pune pjesë e sistemit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore (referuar të dhënave të raportuara për aparatin e Kryeministrisë, ministrive dhe 43 institucioneve të varësisë), në 500 prej tyre që përbëjnë 11.2% të numrit të përgjithshëm të pozicioneve në shërbimin civil të raportuara, janë punësuar studentë të ekselencës. Ky numër përbën totalin e studentëve për vitet 2019-2021./N.Maho