Edhe pse kanë kaluar mbi 3 dekada nga rrëzimi i regjimit komunist, ndarja me të shkuarën përbën sërish një sfidë.
Rasti më i fundit i debatit është ai i ish-presidentit Meta. Sipas Autoritetit të Dosjeve figuron në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi.
Drejtuesja e Autoritetit për Informimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula foli për herë të parë për këtë çështje.
“Ne kemi pasur dyshimet tona, administruam të gjithë arkivin e tyre. Praktikat që kanë sjellë në këto vendime ne i kemi marrë diku të paplota.
Diku pa firmë, pa vulë, pa relacione të hollësishme. Komisionet Mezini dhe Bezhani thjesht kanë bërë verifikimin përmes institucioneve të tjera.
Në atë kohë i ka bërë SHIK-u dhe Ministria e Brendshme verifikimet. Sot arkiva është e gjitha këtu.
Pasi jep instrumentin këtu në dorë. Ndërkohë deri dje thuhej “ka dosje individi” dhe përmendej fjala dosje me një emër e kujt është dosja.
Sot objektivi ynë është që përmes dosjes të shkohet tek dokumentet që ka brenda në dosje. Përtej saj të shkohet tek dhënat që prodhohen brenda në dokument.
Pra pa e disponuar arkivën nuk e bën dot këtë analizë. Ne kemi dhe arkivën por dhe stafin e specializuar”, tha Gentiana Sula për “VOA”-n.