Çmimi i naftës po ndryshon vazhdimisht në Kosovë. Së fundmi qeveria e Kosovës ka miratuar Udhëzimin për vendosjen e marzhës së fitimit.
Udhëzimi për rregullimin e çmimit të naftës dhe karburanteve është miratuar nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar.
Çmimet e derivatave në Kosovë do të përcaktohen sërish me një “tavan” që do ta vendosë Ministria e Ndërmarrësisë, pasi çmimi i naftës kishte arritur në gati 2 euro.
Për çdo ditë, deri më 24 korrik, Ministria dilte me vendim ku përcaktonte çmimin maksimal për shitjen e derivateve.
Nga 1 euro e 95 centë sa ishte çmimi kur MINT doli me vendim, në fund të korrikut ra në 1 euro e 69 centë, sa po shitet aktualisht.
E me vendimin e djeshëm, Ministria do ta rikthejë sërish kontrollin mbi çmimet e naftës dhe benzinës.
Shpjegime për këtë udhëzim dha kryeministri Albin Kurti, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai sqaroi se do të ketë sërish tavan për çmimin e naftës, derisa paralajmëroi se do të caktohet tavan i çmimeve edhe për produktet elementare ushqimore.
Kurse, nga Shoqata e Naftëtarëve kanë deklaruar se ende nuk e dinë se çka parashihet me këtë vendim.