Tre ditë më parë me një akt qesharak, Presidenti Bajram Begaj shkarkoi nga detyra një nëpunës që kishte punuar me 4 Presidentë për dy dekada, Edvin Shvarc.
Arsyeja? Edvin Shvarc mbante postin e drejtorit të informimit publik dhe marrëdhënieve me jashtë në Presidencë.
Në shkresën e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i presidentit thuhet se largimi nga kjo detyrë është bërë për shkak se nuk ka njësuar diplomën e studimeve në Nju Jork.
Reagimet kundër Presidentit dhe në krah të djalit të përkthyesit të madh, Robert Shvarc ishin të shumta. Pavarësisht 20 viteve punë dhe me certifikatë sigurie nuk mjaftuan për Begajn.
Por ironia qëndron te letra e shkarkimit. Shkresën duket se e ka hartuar një njeri që nuk është i denjë për të qëndruar në zyrën e kreut të shtetit.
Gabime drejtshkrimore pa fund. Vetëm një zyrtar nuk mund të shkruajë ashtu. Teuta Toska, gjuhëtare dhe pedagoge shkruan se shkresa është qesharake dhe e turpshme.
Kjo sipas saj është shenjë e një degradimi të frikshëm të administratës shqiptare.
“Ajo shkresa që kishte dalë nga Presidenca dhe që pushonte nga puna një njeri të zot dhe me shumë përvojë, si z.Edvin Shvarc, kishte aq gabime drejtshkrimore, sa të këpuste krahët e gjunjët edhe më keq se arsyeja e largimit të tij, që ishte qesharake dhe e turpshme.
Uh, gabimet, ato shiko ti, mund të thotë dikush. Po, por është shenjë e një degradimi të frikshëm të administratës shqiptare, që nuk respekton as kodin e vet zyrtar më të rëndësishëm – gjuhën e ligjit. Edhe në këtë institucion kaq të lartë? Ku kemi mbërritur kështu?” shkruan Toska.