Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Vjenë.
Hoti tha se me Escobar diskutuan për dialogun dhe hapat tutje.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialog dhe hapat që duhet ndërmarrë në përputhje me vizionin tonë të përbashkët dhe afatgjatë për Kosovën e integruar plotësisht në strukturat euro-atlantike”, shkroi Hoti.
Kujtojmë se Avdullah Hoti bisedoi edhe me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë Serbi, ku bashkë me Arben Gashin po e përfaqësojnë LDK-në në margjinat e takimit me EPP-në.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.
Pas takimit që zhvilloi të hënën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Escobar tha në një konferencë për media se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta afrojë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.
“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë [Ballkanin Perëndimor] si një mundësi të jashtëzakonshme, me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e pranojnë Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik”.