Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova është e interesuar që të arrihet marrëveshje me Serbinë, e cila do të kishte në qendër njohjen reciproke.
Por, derisa nuk arrihet kjo marrëveshje. E cila sipas Kurtit do të ishte ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme, Kosova do të ketë reciprocitet të plotë.
“Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur.
Njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor”, tha Kurti.
Kurti tha se vendimet e fundit, sa i përket targave dhe dokumenteve serbe, kanë qenë në kuadër të ushtrimit të sovranitetit të Kosovës.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit.
Pra pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.
Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.