Në shtator fëmijët shqiptarë në të dyja anët e kufirit do të kenë një abetare të përbashkët. Unike.
Pas një dekade premtime dhe marrëveshje me Kosovën që kur erdhi në pushtet, Edi Rama thotë se tashmë krijesa është gati.
“Gëzuar abetaren e parë të unifikuar, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen” shkruan Rama.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi shprehet se tani kanë nisur trajnimet e përbashkëta të mësuesve në dy anët e kufirit.
“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.
Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë.
Prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës” shkruan Kushi.