Moska ka reaguar pasi Kosova e Serbia u ranë dakord të shtunën që shkoi që qarkullimi ndërmjet dy vendeve të bëhet me letërnjoftime.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Rusisë “arritja e një kompromisi të pjesshëm për dokumentet personale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës uli disi tensionet në Kosovë dhe Metohi, por pyetja themelore mbetet nëse Perëndimi është i gatshëm të marrë seriozisht interesat legjitime të Serbisë”.
Aleatët e Serbisë thonë se është e papranueshme të zhvlerësohen elementet kyçe të arritura gjatë dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sic është “krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe si mekanizëm për sigurimin e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe Metohi”.
Po ashtu rusët thonë se deklaratat e lidershipit serb për marrëveshjen e arritur konfirmojnë se Beogradi vlerëson me maturi atë që është arritur. Si detyrë parësore nënvizon mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe “nuk ka iluzione për mundësinë e ndryshimit të qasjes proshqiptare e Perëndimit”.
Rusët theksojnë se “po i ndjekin nga afër ngjarjet dramatike në Kosovë” dhe se situata atje është përshkallëzuar përsëri muajin e fundit, duke iu afruar skajit të një konflikti ndëretnik për shkak të qëllimit të “autoriteteve të vetëshpallura”, sic I referohen ata Republikës së Kosovës.
Diplomacia ruse ka akuzuar BE’në e cila, sipas tyre, ka treguar edhe një herë pafuqi dhe mosgatishmëri për të hyrë në “klinç” me “elitën arbitrare të shqiptarëve të Kosovës, madje edhe butësi ndaj ekstremistëve të Prishtinës”./Express