Lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në muajin e shtatë dhe ushtria ruse, bashkë me shërbimet e inteligjencës, kanë mbetur të poshtëruara.
Forcat ruse janë përballur me rezistencë të madhe të ushtrisë ukrainase dhe qytetarëve ukrainas.
Kremlini është dashur të përballet me një Qeveri në Kiev që secilën herë e më shumë ka rritur rrethin e aleatëve dhe mbështetjes.
Por, si ka ndodhur që agjencitë e inteligjencës kanë qenë kaq gabim dhe pse rrjetet që kanë kultivuar me vite në Ukrainë nuk kanë dhënë rezultate?
Radios Evropa e Lirë ka biseduar me Andresi Soldatov, gazetar hulumtues, i cili ka raportuar për shërbimet e inteligjencës në Rusi për dekada dhe tani është hulumtues në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane, me seli në Londër.
“Mund ta shohim se shërbimet e sigurisë së Rusisë janë prekur shumë nga lufta.
Nëse e krahasoni me luftërat tjera, sikurse ajo e Afganistanit më 1980 apo ato të Çeçenisë (më 1990 dhe 2000), lufta në Ukrainë është shumë më ndryshe.
Para luftës, vetëm dy departamente brenda FSB-së kanë qenë të angazhuara rreth Ukrainës.
Njëri prej tyre njihet si Shërbimi i Pestë, i cili ka për detyrë të mbledhë të dhëna në Ukrainë, si dhe Departamenti i Kundërzbulimit.
“Tani pothuajse secili departament i madh i FSB-së është i përfshirë në këtë luftë… dhe kjo është diçka që nuk e kemi parë më herët, sidomos jo përgjatë luftërave çeçene.
Përveç kësaj, shumë zyrtarë të inteligjencës nga Moska janë duke shkuar nëpër rajone të Ukrainës për periudhë tre-katër mujore.
Kjo nënkupton se shumë shpejt do të jenë shumë zyrtarë me përvojë ukrainase, të cilët do të ndryshojnë mentalitetin e njerëzve që shërbejnë në shërbimet ruse të sigurisë” tha ai.