Dy ditë më parë në media qarkulloi me shpejtësi lajmi për shkarkimin e drejtorit të policisë së shtetit. Për disa orë kishte heshtje totale.
Qeveria tha se nuk kishte informacion. Burimet nga policia ishte kontradiktore, ndërsa Bledi Çuçi heshti.
Në mbrëmjen e së hënës ishte vetë Gledis Nano që e hodhi poshtë lajmin duke thënë “nuk është e vërtetë”.
Madje ai shtoi edhe më tej “nuk kam dhënë dhe nuk do të jap dorëheqjen”.
Por burime mediatike pohuan se të hënën, para se të ngrihej furtuna në media, Çuçi e kishte thirrur në një takim duke i kërkuar dorëheqjen.
Nano nuk e kishte pranuar. Rezistoi dhe këmbënguli. Por atë që nuk e bëri vetë për t’u dorëhequr, sot e bëri Edi Rama duke e larguar me forcë, me shkarkim.
Në mëngjes, ministri Çuçi njoftoi se e shkarkuan. Kështu mundësinë që i dhanë për të ikur vetë, pasi e refuzoi, Edi Rama e shkarkoi.
Gledis Nano nuk arriti të mbyllte vitin në krye të policisë së shtetit. Kështu pas Artan Didit, Haki Çakos dhe Ardi Veliut, Rama shkarkoi edhe Gledis Nanon.
Largimet e shpeshta tregojnë se diçka nuk shkon ndoshta më lart për nivelin e kriminalitetit dhe nuk lidhet vetëm me emrin e drejtorit të policisë.