Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës janar-qershor 2022.
“Monitor” përpunoi të dhënat zyrtare mbi emigracionin e paligjshëm nga Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar dhe Observatori i Emigracionit.
Nga totali i emigrantëve shqiptarë, 2165 persona kishin hyrë në vend me gomone (varka të vogla).
Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët u renditën të parët për nga numri i madh që hynë në Britaninë e Madhe duke rrezikuar jetën (shihe tabelën bashkëngjitur).
“Numri i shqiptarëve që vijnë me varka të vogla është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të fundit prill –qershor 2022.
Përpara kësaj periudhe, shqiptarët zakonisht nuk përdornin varka të vogla. Ka pasur 2,165 mbërritje midis janarit dhe qershorit 2022.
Emigrantët që hyjnë në Britaninë e Madhe me gomone regjistrohen menjëherë si azilkërkues për shkak se kanë rrezikuar seriozisht jetën duke udhëtuar në këtë mënyrë.
Numri i shqiptarëve që udhëtojnë me gomone në Britani është më i lartë se ai i vendeve në konflikt dhe në diktaturë si Afganistani, Irani dhe Iraku.
Madje edhe ukrainasit që janë në luftë nuk e kanë marrë nisma të tilla.
Të dhënat nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian tregojnë se mbi 9500 shqiptarë së paku kanë kërkuar azil në 6-mujorin e parë.
Sipas të dhënave të Eurostat, numri i shqiptarëve që kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, arriti në 4810 persona në 5 mujorin e parë 2022.
Numri i tyre u rrit me më shumë se dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Nga rreth 12 mijë të huaj që hynë me gomone në Britani në 6-mujorin e parë 2022, 17% ishin shqiptarë./Monitor/