Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se forcat e armatosura serbe po zhvillojnë një stërvitje ushtarake. Stërvitja po mbahet në Zonën e Sigurisë Tokësore, që gjendet përgjatë kufirit me Kosovën.
“Stërvitja po kryhet me qëllim të mbajtjes së një shkalle të lartë të gatishmërisë luftarake të njësive të angazhuara. Forcat janë aty për të garantuar paqen dhe sigurinë përgjatë vijës administrative në Kosovë dhe Metohi”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes më 31 gusht.
Vëmendje e posaçme do t’u kushtohet “stërvitjeve të veprimeve luftarake në rast të ndonjë sulmi ndaj njësisë. Po ashtu dhe teknikave dhe procedurave që përdoren për të parandaluar aktivitete të grupeve ekstremiste.
Kjo, sipas autoriteteve serbe të mbrojtjes, “siguron një nivel të lartë të aftësisë për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, rreziqeve dhe kërcënimeve.”
Këto stërvitje po zhvillohen në kohën kur nga 1 shtatori, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje.
Për këtë marrëveshje, palët u morën vesh më 27 gusht, pas ndërmjetësimit të diplomatëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Më 1 shtator, po ashtu nis afati dymujor për riregjistrimin e makinave që qarkullojnë në veri të Kosovës, e që lëshohen nga Serbia./REL