Ka disa ditë që përmes një vendimi, Këshilli Drejtues i shkollës “Flamuri i Arbërit” në Suharekë, po pretendon se ka shkarkuar nga puna mësuesen me mbulesë në këtë shkollë, Remzie Lezin.
Megjithatë, nga Ministria e Arsimit kanë konfirmuar për Dukagjinin gjatë ditës se ky vendim nuk ka bazë ligjore. Mësuesja, për shkak të gjendjes emocionale nuk ka dashur të flasë, përderisa vendimin e saj për të bartur mbulesën islame nuk e kanë përkrahur as disa kolegë të shkollës ku punon.
Përkundër grevës, mësueset në shkollën “Flamuri i Arbërit” në Suharekë, po përgatiten për vitin e ri shkollor, i cili nuk dihet se kur do të nis.
Bashkë me to, mbase do të ishte edhe një kolege tjetër e tyre.
Mirëpo, Këshilli Drejtues i kësaj shkolle ka kërkuar që mësuesja Remzie Lezi të largohet nga puna.
Për drejtuesit e shkollës, problem është bërë vendimi i mësueses me përvojë rreth 30 vjeçare që të vendosë mbulesën islame.